Flash News

Ditari i Opozitës

Boçi: Rama e ka shndërruar shtetin në pronë private, vjedhjet kanë emra dhe shifra konkrete

Boçi: Rama e ka shndërruar shtetin në pronë private,

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka akuzuar qeverinë Rama se ka kapur shtetin dhe e ka kthyer atë në një pronë private, në funksion të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjatë fjalës së tij, Boçi u shpreh se opozita është në protestë për dinjitetin qytetar dhe për të mbrojtur vlerat themelore të familjes, kombit dhe demokracisë, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të qeveriset më nga një njeri që, sipas tij, tallet çdo ditë me fatin e shqiptarëve.

“Shteti është shndërruar në një klub të mbyllur qejfi dhe ahengu, ku pushteti nuk shërben për qytetarët, por për bandat e krimit dhe klientët e qeverisë”, deklaroi Boçi, duke e cilësuar godinën e Kryeministrisë si simbol të një pushteti të korruptuar.

Ai renditi shifra konkrete të aferave, duke përmendur inceneratorët me vlerë 430 milionë euro dhe koncesionet që, sipas tij, kapin shifrën e 500 milionë eurove, ndërsa miliarda euro të tjera janë përfshirë në projekte infrastrukturore si rrugë, tunele, unaza dhe aeroporte.

Sipas Boçit, korrupsioni ka emra konkretë, që nisin nga ish-zyrtarë dhe ministra dhe shtrihen deri te struktura të tjera qeveritare, ndërsa skemat e abuzimit nuk mbarojnë as me projektet e AKSHI-t dhe Smart City.

Policia e Shtetit ka mobilizuar forca të shumta sigurie, rreth 1350 efektivë, në zonën përreth Kryeministrisë.

Masa të shtuara sigurie janë vërejtur para godinës së qeverisë, e cila është blinduar për protestën e sotme, ndërsa në tarracën e Kryeministrisë janë vendosur snajperë.

Protesta konsiderohet e rëndësishme nga opozita, e cila e cilëson këtë tubim si nisjen e një vale protestash, që sipas saj do të vijojnë deri në largimin e Edi Ramës nga pushteti.

Të fundit