Flash News

Ditari i Opozitës

Bozdo kritikon ndryshimet në ligjin ‘për qeverisjen elektronike’: Privati do ketë në dorë të dhënat e shqiptarëve

Bozdo kritikon ndryshimet në ligjin ‘për qeverisjen

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka reaguar ndaj ndryshimeve të fundit ligjore në ligjin “Për Qeverisjen Elektronike”, që pritet të miratohen nga mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë.

Bozdo ka theksuar se shoqëritë aksionare shtet-privat që parashikohen me ligjin e ri janë problematike dhe kanë dështuar më parë në Shqipëri.

Ai shton se këto kompani mund të shmangin prokurimin publik, të mos jenë transparente në shpërndarjen e fondeve dhe të japin në dorë privatëve të dhënat sensitive të qytetarëve, duke rrezikuar sigurinë kombëtare.

Deputeti paralajmëron se ndryshimet ligjore mund të favorizojnë krimin e organizuar, duke përmendur se qindra miliona euro për sisteme IT nuk kanë funksionuar dhe të dhënat e qytetarëve mund të jenë në rrezik.

“Së pari, hyrja në marrëdhënie të tilla tregtare, në shoqëri aksionare të përbashkëta, edhe në rastin e qëllimeve më të mira, është shumë problematike sepse modele të tilla menaxhimi praktikisht kanë dështuar gjithmonë në Shqipëri. Shoqëritë e përbashkëta shtet-privat janë forma që në administrimin e pronës publike kanë 25 vjet që nuk përdoren më, sepse eksperienca ka treguar që ato nuk funksionojnë!

Së dyti, kush do të përcaktojë dhe me çfarë mekanizmi do të përcaktohet vlera e aksioneve? Në një kompani ku AKSHI zotëron 51% të aksioneve, sa vlen pjesa e mbetur prej 49%? Kush e vendos vlerën e një aksioni, apo i lihet ajo në dorë humorit të drejtuesve të AKSHI-t?

Së treti, këto kompani praktikisht do të shmangin edhe sistemin e prokurimit publik, sepse zotërohen nga shteti. Pra në praktikë AKSHI do t`i japë fondet, pa garë, një kompanie ku ai vërtet zotëron 51%, por ku gjithashtu 49% të aksioneve zotërohen nga privati. Pra, nuk do të kemi asnjë transparence në shpërndarjen e fondeve.

Së katërti, privati tashmë do ketë në dorë, me bekimin e ligjit, të dhënat sensitive të shqiptarëve. Kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë, sidomos pas skandaleve ku AKSHI gjendet gjithmonë si promotor i tyre! Praktikisht, kjo shpikje ligjore e bën edhe më dëshpëruese situatën katastrofike ku AKSHI ka rënë.

Në vitet e fundit janë rreth 500 milionë euro të dhëna nga AKSHI për sisteme IT që sot as funksionojnë dhe ndoshta as ekzistojnë, sisteme që kanë lidhje më të dhënat sensitive, me funksione të rëndësishme të kadastrës, me të dhëna të menaxhimit të sistemit gjyqsor, me sistemet e brendëshme të informacionit të policisë së shtetit, të gjitha këto të vëna në dispozicion të krimit të organizuar dhe që shqiptarët ende nuk dinë si dhe ku janë përdorur!

Problemi pra është shumë i madh sepse nuk kemi të bëjmë thjesht dhe vetëm me megakorrupsion, çka nuk do të përbënte më lajm në Shqipërinë e Edi Ramës. Por është hera e parë, e provuar nga hetimet, që institucioni i cili është ngritur për të ruajtur sigurinë kibernetike kombëtare, për të ruajtur të dhënat sensitive dhe private të cdo shtetasi dhe të dhënat e pronësisë së tyre, i është dhënë dhuratë në tabaka, krimit të organizuar”, deklaroi Bozdo.

Të fundit