Flash News

Ditari i Opozitës

“Brenda spitalit po ndërtohet një hotel”/ Alimehmeti: Kjo tregon qartë abuzimet e qeverisë me shëndetësinë

“Brenda spitalit po ndërtohet një hotel”/ Alimehmeti: Kjo

Mjeku dhe deputeti i Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka akuzuar qeverinë për mosveprim ndaj mungesës së medikamenteve në vend, veçanërisht atyre onkologjike, duke e cilësuar situatën si alarmante.

I ftuar në SYRI TV, ai deklaroi se qytetarët e kanë shumë të qartë mungesën e barnave jetike, ndërsa ekzekutivi jo vetëm që nuk po reagon, por edhe po refuzon t’i përgjigjet kërkesave zyrtare të opozitës për debat parlamentar mbi këtë krizë.

Ai thotë ndër të tjera se brenda spitalit "Nënë Tereza" po ndërtohet një hotel dhe kjo sipas tij tregon qartë abuzimet e qeverisë me shëndetësinë.

Deklarata e Alimehmetit

Njerëzit e kanë shumë të qartë mungesën e medikamenteve, sidomos atyre onkologjike.

Ka edhe një kërkesë për zhvillim të një mocioni me debat nga ana e grupit parlamentar të Partisë Demokratike që deri sot nuk ka ndodhur. PS, qeveria, refuzon t’i përgjigjet kësaj kërkese zyrtare, refuzon t’u përgjigjet dhe njerëzve që janë aty në shesh dhe, nga krahu tjetër, vazhdon të mos prokurojë medikamentet që nevojiten.

Nuk ka pikën e rëndësisë emri i veçantë, emri i përveçëm i ministres; ka rëndësi qasja dhe vizioni që ka për fushën e shërbimit mjekësor, se këtu nuk është se ka shumë politika për të diskutuar. Këtu ka nevojë, ka disa sëmundje që duhen trajtuar. Unë s’besoj se ka politikë që mund të bëhet këtu.
Kemi kaq të sëmurë, ka nevojë për këto lloj protokollesh trajtimi, duhen këto mjekime, këto mjekime duhen blerë.
Por mjekimet kushtojnë, ne e dimë që kushtojnë, pajisjet kushtojnë, duhen blerë; shëndetësia nuk është falas dhe këtë e dimë shumë mirë.
Sot që flasim, ne në 2025, a është shtuar buxheti i shëndetësisë në krahasim me çfarë ishte 1 vit më parë, 2 vjet më parë, 3 vjet më parë? Përgjigjja është jo.

Pra, çfarëdolloj ministri të marrësh, nëse fondi mbetet i njëjtë, këtu s’ka vend për të diskutuar: a mund të blejë gjëra të tjera?
Sepse në radhë të parë ke një nënfinancim, në radhë të dytë, tek ky financim që është i ulët, ke abuzimin, pra ke koncesionet, ke ndërtimet. Kujtoj unë që brenda territorit të spitalit “Nënë Tereza”, aktualisht që po flasim, po ndërtohet një hotel.

Kujtoj që në dhjetor të 2024 pati një amendament nga Partia Demokratike për ta çuar shpenzimin publik në shëndetësi në 5% të PBB-së. Pse 5%? Sepse është dyshemeja që thotë OBSH dhe thotë Bashkimi Evropian. Kujtoj se Edi Rama e ka premtuar 5% që në 2013; jemi në fund të 2025, ka shkruar 12 buxhete dhe 2.78% është sot.

Të fundit