Flash News

Ditari i Opozitës

Buxheti i bashkisë Tiranë për 2021, PD: Asnjë investim, 7 mln € më shumë taksa se në 2020

Buxheti i bashkisë Tiranë për 2021, PD: Asnjë investim, 7
Mateo Spaho

Partia Demokratike thotë se buxheti i viti 2021 i Bashkisë Tiranë, nuk parashikon asnjë përmirësim për cilësinë e jetës dhe investime.

Ish-këshilltari Mateo Spaho përmes një deklarate për mediet tha se këtë vit bashkia ka grumbulluar 113 milionë euro taksa, ndërsa për 2021 shtoi ai, pritet të mblidhen 120 milionë euro.

Sipas tij, plani i Bashkisë Tiranë është grumbullimi i 11 milionë euro nga rritja e tarifës së pastrimit, 5 milionë euro më shumë nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme, 5 milionë euro nga gjobat, 4 milionë euro nga e ashtuquajtira taksë e përkohshme për infrastrukturën arsimore.

“11 milionë euro do t’u merren më shumë bizneseve dhe qytetarëve për tarifën e pastrimit. A do të jenë lagjet e Tiranës më të pastra? Jo! Erion Veliaj do të bëjë më të pasur Incineratorin e Tiranës me djersën e qytetarëve. Tarifa e pastrimit është rritur për të gjithë që nga qershori i kaluar, pasi incineratori që nuk ekziston u ankua për të ardhura të pakta. Për Erion Veliaj nuk ka problem që jemi në kohë krize. Megjithëse bizneset kanë nevojë për mbështetje, ai i çon paratë e marra nga tarifa e rritur e pastrimit tek incineratori.

5 milionë euro më shumë do të detyrohen bizneset të paguajnë për taksën mbi pasurinë e paluajtshme. Megjithëse dyqanet i kanë pothuajse bosh, bashkia nuk parashikon asnjë ndihme, por vetëm presion për t’u marrë sa më shumë para nga xhepat.

Edhe 5 milionë euro të tjera do të marrë Erion Veliaj nga gjobat. Ky xhep i Erion Veliakt mbushet kryesisht me gjobat për parkimin. Tirana është sot qyteti më i pajetueshëm në lidhje me parkimet. Edhe ato pak që ishin, janë zhdukur nga bashkia pa pyetur askënd. Ka dëmtuar bizneset e vogla, ka dëmtuar qytetarët, ka shtuar trafikun në qytet, ndërsa për vete ka shtuar 5 milionë euro në xhep, pa bërë asgjë.

4 milionë euro do të merren nga e ashtuquajtira taksë e përkohshme për infrastrukturën arsimore. Çfarë është bërë me këtë taksë të paligjshme? Është ndërtuar ndonjë shkollë? Në të vërtetë jo! Sepse shkollat Erion Veliaj po i bën me PPP, duke i paguar shumë shtrenjtë klientët e tij me paratë tona. A ka ngrohje në shkolla dhe kopshte? Fëmijët dhe prindërit e dinë që jo, sepse vazhdojnë të paguajnë nga xhepi”, deklaroi ndër të tjera Spaho.

Ky i fundit theksoi se në vitin 2011, në Tiranë ishin të regjistruar rreth 37 mijë biznese dhe se për 4 vite, kur Tirana drejtohej nga Lulzim Basha, numri i bizneseve u rrit me gati 10 mijë, duke shkuar në rreth 47 mijë.

Ai tha më tej se për vitin 2019, pa llogaritur efektin e pandemisë, në Tiranë ka 800 biznese më pak, sesa kur Veliaj mori detyrën.

 

 

Të fundit