Flash News

Ditari i Opozitës

Buxheti i Tiranës, PD: Nuk zgjidh hallet e qytetarëve, shtohen taksat për interesa klienteliste

Buxheti i Tiranës, PD: Nuk zgjidh hallet e qytetarëve, shtohen taksat
Ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me buxhetin e Bashkisë Tiranë që pritet të miratohet këto ditë.

Ish-deputetja Jorida Tabaku thotë se ky buxhet nuk zgjidh problemet e qytatravë, por i ngarkon ata me barrë më të lartë fiskale. Sipas saj, ky buxhet ka interesa klienteliste.

Në një deklaratë për mediet, Tabaku evidenton se nuk parashikohet hapje e vendeve të punës, ndihmë për bizneset e vogla, duke theksuar se këtë vit qytetarët do të paguajnë rreth 21 milionë euro më shumë taksë mbi ndërtesën.
Gjithashtu shton se  17 milionë euro më shumë për taksën e pastrimit do të shkojnë në llogari të inceneratorit të Tiranës.

“60 biznese mbyllen në ditë. Papunësia është rritur me 100 mijë të papunë, por për të zbutur këtë krizë të thellë Erion Veliaj nuk ka marrë asnjë masë në buxhet.
Në të kundërtën e ndihmës, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka parashikuar të shtrydhë edhe më tej bizneset dhe qytetarët, të cilët do të paguajnë më shumë se këtë vit rreth 21 milionë euro taksë mbi ndërtesën. Të gjithë do të paguajmë më shumë edhe për pastrimin e qytetit. Janë 17 milionë euro më shumë për taksën e pastrimit, por këto nuk do të shkojnë që të kemi një qytet më të pastër jo vetëm në qendrën e tij. Erion Veliaj do t’i çojë paratë në llogarinë e incineratorit të Tiranës.
Tirana nuk është më vetëm vendi me ndotjen më të madhe, vendi me mungesën më të madhe të gjelbërimit, por vendi që i gënjen qytetarët se tarifat e parkimit janë në shërbim të ekosistemit. Qytetarët do të paguajnë më shumë se 4 milionë euro për parkim, ndërkohë që nuk kanë as shërbimet kryesore dhe asnjë masë ekologjike për qytetin”, deklaron Tabaku.

Ajo akuzon kryetarin e bashkisë, Erjon Veliaj se po shkatërron çdo objekt historik të vendit për ti kthyer në kulla. “Tirana do të vazhdojë të jetë si në mesjetë, pa ujë të pijshëm 24 orë, megjithëse në këto 5 vjet, Erion Veliaj ka rritur çmimin e ujit, duke e bërë atë ndër më të shtrenjtët në vend”, përmbyll deklaratën e saj Tabaku.

 

Të fundit