Flash News

Ditari i Opozitës

Cara për Sakon: Nuk më komplekson fare mbështetja që ka nga qeveria

Cara për Sakon: Nuk më komplekson fare mbështetja që ka nga

Igli Cara kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Durrësit thekson se bazuar në sondazhet e deritanishme, del fitues.

“Këtë nuk e them thjesht se jam këtu në media, por pa diskutim që na nxjerrin fitues, sepse kryefjala në çdo takim ka qenë ndryshimi. Uji i ndenjur në 23 vite, dhe aq më tepër që kemi një bashki që sot nuk ka bilanc aspak pozitiv, e ka negativ. Boll fakti që Rama nuk pranon që kandidatët e tij, por edhe vetë kandidatët nuk pranojnë që të jenë përballë kandidatit rival për të diskutuar se çfarë është bërë në këto vite. Është gjëja më normale në një vend demokratik, ti ke kaq vite në pushtet sidomos periudhës të fundit 16-vjeçare, të zotit Dako dhe zonjës Sako. Vihet në debat televiziv dhe thuhet, këtë e kam bërë, këtë nuk e kam bërë.

Nuk kanë asgjë pozitive, edhe rindërtimin që mundohen të thuash është pozitiv, po u jap shifrat që nuk është i tillë. Pavarësisht se ishin 1.2 miliardë euro të ardhura, siç ka deklaruar qeveria që në Mars të 2022 procesi i rindërtimit do të ishte mbyllur, sot jemi në 2023 në Maj dhe procesi nuk është përmbyllur as në 50%. Ka probleme jo vetëm me cilësinë e ndërtimeve, por banorët ankohen që ndërtimet nuk janë duke u bërë aty ku kanë pasur shtëpinë. 50% e shkollave janë të pabëra, dhe kjo ka sjellë pasojën që 5000 nxënës janë në mësim me dy turne, duke e ulur ndjeshëm cilësinë e mësimmarrjes janë produkt i këtyre viteve të qeverisjes. Nuk mund të them me numër, po absolutisht do të ketë ndryshim në Durrës”, tha Cara në Klan Neës

Sipas Carës, kandidatët e mazhorancës nuk kanë asnjë raport pozitiv të punës së tyre prandaj dhe nuk vijnë në debat.

Lidhur me rivalen e tij në garën e 14 Majit Emirjana Sakon, Cara tha se nuk ndihet i kompleksuar nga mbështetja që ajo ka nga ana e qeverisë.

“Së pari nuk më komplekson fare. E dyta, më thoni një rast, se të jesh me një personalitet të fortë minimumi do të thotë të mbrosh qytetarët e tu dhe të kesh një mendim tëndin. Më trego një rast që një mendim i saj nuk shkon në një linjë me kryeministrin Rama. Një administrator që është zgjedhur nga qytetarët, ka një mendim të tij dhe nuk mund të jetë një drejtoreshë e qeverisë.

Kjo do të thotë që bashkitë në Shqipëri, po veçanërisht në Durrës, Rama i ka si ato drejtoritë te Kryeministria. Kudo në Shqipëri është kjo frymë, Rama është kryetar i të gjithë bashkive. Jo vetëm që nuk më komplekson, por ndihem shumë mirë. Pavarësisht se kanë kryeministrin që është edhe deputet i Durrësit dhe zonjën Sako, dhe argumentave që thonë shpesh që kanë qeverinë, kanë të fortët, paratë, krimin e të gjitha me radhë, jam i bindur që ka qytetarë burra e gra të ndershëm të qytetit të Durrësit që e duan fort si unë. Përballë këtij grupimi që thashë, qytetarët do të bëjnë ndryshimin në 14 Maj”.

Të fundit