Flash News

Ditari i Opozitës

Dekreti i Begajt, Vokshi: Skandaloze! Presidenti firmos çdo gjë që i kërkon Rama

Dekreti i Begajt, Vokshi: Skandaloze! Presidenti firmos çdo gjë

Deputetja demokrate, Albana Vokshi ka reaguar pasi Presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 Nëntor, për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki të vendit.

Vokshi për Syri Tv tha se Begaj ka shkelur Kushtetutën në mënyrë flagrante duke firmosur çdo gjë që i kërkon Rama.

“Për Bashkinë e Tiranës, Presidenti, i bazuar në Kushtetutë dhe si kreu i institucionit që duhet të jetë garant i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duhej të kishte pritur vendimin e saj. Thjesht duhej të zbatonte Kushtetutën. Ndërkohë, është absurde dhe e pakonceptueshme se si një President mund të shkelë në mënyrë flagrante Kushtetutën, siç ndodhi sot. Një veprim i tillë nuk mund të imagjinohet as në vende të tjera të rajonit. Shkojmë në Kosovë, ku Gjykata Kushtetuese merr vendime të pavarura – pëlqejnë ose jo qeverisë por megjithatë Qeveria e Kosovës, me në krye Albin Kurtin, i ka zbatuar edhe kur nuk i ka pëlqyer.

Mund të mos i pëlqente Ramës vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por tashmë jemi mësuar që Rama nuk i zbaton vendimet e saj. Si në rastin e Olta Xhaçkës: pavarësisht se erdhi edhe një opinion dhe u kërkua një investigim nga Komisioni i Venecias, ky Komision tha se duhen zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Por këta jo vetëm që nuk i zbatojnë, por Rama propozon dhe emëron në delegacionin e Këshillit të Europës persona, kur një nga komisionet është pikërisht ai i Venecias. Pavarësisht se ka dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, ai e emëroi Xhaçkën kryetare të delegacionit dhe madje e propozoi për nënkryetare. Imagjinoni çfarë skandali!

Rama tashmë nuk pyet më; ai mendon se ka pushtet të bëjë çfarë të dojë. Mund të sfidojë edhe institucionet europiane, edhe Këshillin e Europës, edhe Parlamentin Europian, dhe të veprojë sipas qejfit. Presidenti mund të kishte pritur; do të ishte në nderin e tij të priste vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj të vijonte procedurat, ashtu siç duhet.

Është skandaloze ajo që po ndodh. Jam e keqardhur që Presidenti ka arritur në këtë nivel, duke firmosur çdo gjë që i kërkon Rama. Me pak respekt dhe dinjitet, ai duhej të përpiqej të ruante institucionin e Presidencës, jo veten e tij, në mënyrë që të respektohej. Sot është ulur në nivelin zero. Më duket një nga veprimet më absurde që ka bërë Presidenti deri tani”, deklaroi Vokshi.

Të fundit