Flash News

Ditari i Opozitës

Denoncimi i PD: Arben Ahmetaj firmosi VKM tre ditë pasi ishte shkarkuar, s’pati mbledhje qeverie

Denoncimi i PD: Arben Ahmetaj firmosi VKM tre ditë pasi ishte shkarkuar,

Ish-Zv/Kryeministri Arben Ahmetaj ka konsumuar vepër penale për firmosjen e VKM-ve 3 ditë pas shkarkimit të tij. Për të njëjtën shkelje u dënua ish Kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. SPAK të nisë hetimet.

Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja denoncoi se  ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka konsumuar një vepër penale, pasi ka firmosur VKM, 3 ditë pas shkarkimit të tij.

Në një deklaratë nga selia blu, ajo tha se VKM-të janë firmosur, por mbledhje qeverie nuk ka pasur. Gjithashtu shtoi se Ahmetaj, duke mos patur tagër, pasi ishte i shkarkuar, VKM është e pavlefshme, ndërsa ish zv.kryeministri ka konsumuar dy vepra penale, “Përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore”dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.

“Është bërë e modës, që Edi Rama jo vetëm që nuk firmos vetë, por i ruan Vendimet e Këshillit të Ministrave (VKM) për pikun e verës. Gjatë korrikut, ndryshe nga muajt e tjerë, kanë dalë shumë VKM dhe 14 prej tyre janë firmosur nga ish Zv/ Kryeministri Arben Ahmetaj më datë 27/7/ 2022. Do të thotë 3 ditë pas shkarkimit të tij.

Një nga 14 VKM-të që ka firmosur ish Zv. Kryeministri Ahmetaj është ai me Nr.512, më datë 27 korrik. Së pari, duhet të sqarojmë publikun se nuk ka patur një mbledhje të Këshillit të Ministrave në këtë datë.

Së dyti, VKM-ja e firmosur nga zoti Ahmetaj, duke mos patur një tagër të tillë (pasi ishte i shkarkuar), jo vetëm është absolutisht i pavlefshëm nga pikëpamja civile, por është edhe konsumim i 2 veprave penale. Atyre të “Përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”, parashikuar nga neni 249 i Kodit Penal”, tha Kalaja.

Kjo e fundit shtoi se kjo shkelje është e njëjta me atë për të cilën u dënua ish Kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, gjë që do të thotë se precedenti ekziston.

Partia Demokratike i bën thirrje SPAK të veprojë menjëherë dhe të nisë hetimet për veprat penale të konsumuara nga Arben Ahmetaj.

 

Të fundit