Flash News

Ditari i Opozitës

Deputetët i kërkojnë dorëheqjen, Basha mbledh sot grupin parlamentar të PD

Deputetët i kërkojnë dorëheqjen, Basha mbledh sot grupin

Partia Demokratike zhvillon sot mbledhjen e radhës me deputetët e grupit parlamentar të thirrur nga Lulzim Basha, teksa në fokus do të jenë çështjet e brendshme të PD-së dhe e ardhmja e saj pas humbjes së radhës në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Rezultati ka sjellë pakënaqësi në radhët e deputetëve të PD, ku shumë prej tyre në mbledhjen e 7 marsit i kanë kërkuar Bashës zgjedhje në parti dhe doreheqjen e tij në krye të PD.

Tanimë, Basha nuk ka më mbështetjen e shumicës së grupit parlamentar të PD. Nëse Basha nuk jep dorëheqjen, një nga skenarët mund të jetë kërkesa për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar demokrat me kërkesë të deputetëve që i kanë dalë kundër.

Basha deklaroi se do të bëjë gjithcka për të mirën e PD, por si fillim duhet të ketë një reflektim dhe analizë për zgjedhjet.

Mbrëmë është zbardhur edhe dokumenti i iniciuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike që kërkojnë përjashtimin e Lulzim Bashës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, duke mos pasur më të drejtën e përfaqësimit të partisë më të madhe të opozitës.

Dokumenti që po qarkullon u publikua në emisionin Politiko i gazetarit Alfred Lela në Top Neës. Në këtë dokument të siguruar dhe nga Gazeta Shqip theksohet se Luzim Basha është përgjegjësi kryesor për humbjen e zgjedhjeve lokale të 6 marsit me veprimet dhe mos veprimet e tij.

Në dokumentin që po shpërndahet për t’u firmosur janë dy pika që përcaktojnë shkarkimin e Bashës dhe që bazohen në rregulloren e Grupit të PD dhe në atë të rregullores së Kuvendit.

“Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim” nga grupi parlamentar i PD-së për deputetin z.Lulzim Basha. Në vijim të masës disiplinore sa më sipër deputeti z.Lulzim Basha humbet çdo tagër përfaqësimi për llogari të grupit parlamentar të PD-së dhe drejtimi të tij”, thuhet në fund të këtij dokumenti.

Sot pritet që të mblidhet grupi parlamentar i PD-së, e sipas të gjitha gjasave dokumenti me firma mund t’i paraqitet Bashës, duke vendosur përjashtimin e tij, me anë të një votimi mes deputetëve demokratë.

Të fundit