Flash News

Ditari i Opozitës

Dhuna në protestë, Balliu: Skemë mafioze e narko-policisë, akt kriminal i qeverisë Rama

Dhuna në protestë, Balliu: Skemë mafioze e narko-policisë,

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka bërë akuza të rënda ndaj policisë për ngjarjet gjatë protestës së mbrëmjes së djeshme në kryeqytet, duke deklaruar se veprimet e forcave të rendit përfshijnë një “skemë mafioze” dhe përdorimin e të miturve si shënjestër.

Në një deklaratë nga komisariati numër një i Pezës, Balliu ka thënë se tre të mitur, të moshave 14 dhe 15 vjeç, gjatë protestës janë përfshirë në një skemë të orkestruar nga individë të lidhur me pushtetin.

Sipas tij, skema e policisë, e cila sipas Balliut lidhet me Ilir Proda, Edi Rama dhe Ergys Agasi, ka përdorur kapsolla të vendosura në çantat e fëmijëve për t’i arrestuar më pas.

Balliu ka denoncuar gjithashtu dhunën policore ndaj protestuesve, duke përmendur rastin e një të riu të identifikuar si Vilson, i cili sipas deputetit është goditur rëndë me gaz lotsjellës dhe duhet të ishte në spital, por mbetet në paraburgim.

"Gjithçka është një skemë e narko-policisë së Ilir Prodës, ku dy të mitur, 14 dhe 15 vjeç, gjatë protestës iu afrua një zotëri dhe u kërkoi të fusin në çantat e tyre të shkollës kapsolla të mëdha. Pas një minute, iu erdhi policia. Po çfarë u kishte thënë ky zotëria? "Futni këto në çantë dhe nëse ju kap policia, thoni që na kanë paguar. Thoni që na kanë paguar." Dhe vetëm një minutë më pas, këta dy fëmijë u kapën nga policia dhe sot i mbajnë në mënyrë të padrejtë këtu.

Në fakt, janë tre të mitur, 14 dhe 15 vjeç, dhe djali tjetër është gjithashtu 15 vjeç, dhe po mbahen në shkelje të ligjit në paraburgim, në kuadër të një skeme totalisht mafioze të një narko-policie që ka humbur të drejtën për të veshur uniformën. Policia, në vend që të jetë në krah të qytetarëve, ngriti skema të tilla të turpshme. Pra, dua ta theksoj, është ngritur një skemë ndaj këtyre fëmijëve për t'u thënë: "Futeni këto kapsolla në çantë dhe thoni që na kanë paguar." Dhe për këtë skemë, për interesa mediatike dhe politike të pushtetit aktual, tre të mitur janë sot në dhomat e paraburgimit. Po ashtu, Vilsoni, i cili është goditur në mënyrë çnjerëzore në kokë me bombat e gazit nga narko-policia e Ergys Agasit, Edi Ramës dhe Ilir Prodës, vazhdon të mbahet këtu, kur ai duhej të ishte në spital dhe të qëndronte atje.

Ne kemi parë se si të burgosurit që kanë bërë vrasje janë mbajtur në spital për një muaj, dy muaj, ndërsa Vilsoni vjen dhe mbahet këtu, kur ai duhej të ishte pa diskutim në spital. Thënë këto, pata komunikim dhe i kam parë protestuesit, të cilët janë më të motivuar se kurrë për të vazhduar betejën, dhe këto skema mafioze nuk do të pranohen. Por rëndësi për mediat sot është që të bëjmë publike se një skemë kriminale është ngritur ndaj tre të miturve nga narko-policia e Ergys Agasit, Ilir Prodës dhe Edi Ramës", deklaroi Balliu.

Të fundit