Flash News

Ditari i Opozitës

Dhunë në KZAZ nr. 30 në Tiranë, Këlliçi: Është goditur sekretari Remzi Mehmeti, autorët u larguan para syve të policisë

Dhunë në KZAZ nr. 30 në Tiranë, Këlliçi:

Tensionet zgjedhore kanë kulmuar sot në qarkun e Tiranës, ku drejtuesi politik i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka denoncuar publikisht dhunimin e sekretarit të KZAZ-së nr. 30, Remzi Mehmeti.

Sipas Këlliçit, Mehmeti është goditur nga persona ende të paidentifikuar, pas një përplasjeje që ka lindur mbi vlefshmërinë e një flete votimi ku rezultonin të shënuar dy kandidatë të Partisë Socialiste, përfshirë Ornaldo Rakipin. Incidenti ndodhi brenda ambjenteve të KZAZ-së, ndërsa Këlliçi akuzon se autorët janë lejuar të largohen pa u ndaluar nga forcat e rendit.

"E pabesueshme, dy makina me personat që dhunuan sekretarin e KZAZ-së u larguan para se të mbërrinte policia. Ndërkohë që dera e KZAZ-së u mbyll dhe brenda mbetën vetëm zyrtarët që zbatojnë ligjin. Policia erdhi vetëm për të bërë një kontroll formal," deklaroi Këlliçi.

Ai shtoi se Remzi Mehmeti ka shkuar në Komisariatin nr. 6 për të bërë kallëzim penal dhe se Partia Demokratike do ta çojë çështjen edhe në SPAK, duke e cilësuar ngjarjen si një “krim zgjedhor të kapur në flagrancë”.

Në deklaratën e tij për mediat, Këlliçi tha gjithashtu se personi që ka goditur sekretarin nuk ishte i pajisur me bexh identifikues dhe se përfaqësuesit e PD-së nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e KZAZ-së për të ndjekur situatën.

 

Të fundit