Flash News

Ditari i Opozitës

"Do kërkojmë hetime shtesë"/ Avokati i Metës: Të pandehur duhet të ishin funksionarë të LSI-së, jo Ilir Meta

"Do kërkojmë hetime shtesë"/ Avokati i Metës:

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, ka reaguar pas përfundimit të hetimeve ndaj kreut të Partisë së Lirisë, duke i cilësuar akuzat si të pabazuara dhe të motivuara politikisht. Në një deklaratë për mediat, Cakrani tha se do të kërkojnë hetime shtesë dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve që, sipas tij, disponojnë informacione të rëndësishme për çështjen.

Sipas avokatit, ndaj Metës rëndojnë tri akuza: korrupsion pasiv i funksionarëve të zgjedhur, pastrim i produkteve të veprës penale, dhe fshehje të të ardhurave, por ai këmbëngul se asnjëra prej tyre nuk qëndron.

“Akuzat janë të pabaza dhe janë sqaruar gjatë fazës hetimore. Zoti Meta është marrë në pyetje dhe ka argumentuar se hetimet përfunduan në një moment të ndjeshëm politik, menjëherë pas zgjedhjeve, për të devijuar vëmendjen nga problematikat që shoqëruan procesin zgjedhor,” – deklaroi Cakrani.
Ai shtoi se mbrojtja do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kundërshtuar akuzat dhe për të kërkuar sqarime shtesë nga persona të tjerë që kanë qenë pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Shumë individë që kanë qenë funksionarë të LSI-së dhe që duhet të ishin të pandehur, sot janë të lirë dhe madje ushtrojnë funksione publike. Ndaj do kërkojmë hetime të mëtejshme dhe thirrjen e dëshmitarëve që kanë dijeni për rrethanat e faktit,” – shtoi avokati i Metës.

Të fundit