Flash News

Ditari i Opozitës

"Shqipëria më lart se Turqia në Shëndetësi", PD i përgjigjet Ramës për shifrat e 'The Lancet': Raporti tregon vetëm shkallën e vaksinimit të popullsisë

"Shqipëria më lart se Turqia në Shëndetësi",
Drejtori i kabinetit dhe eksperti i ekonomisë në PD, Dorjan Teliti

Drejtori i kabinetit dhe eksperti i ekonomisë në PD, Dorjan Teliti, ka reaguar pas postimit të kryeministrit Rama, lidhur me raportin e revistës "The Lancet", për vlersimin e shëndetësisë në Shqipëri.

Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Teliti shkruan se raporti i revistës së shëndetësisë tregon vetëm shkallën e vaksinimit të popullsisë.

Sipas tij, kryeministri kërkon të bindë shqiptarët se shëndetësia shqiptare është edhe më e mirë se ajo e Turqisë.

Më tej ai shton se faktet në Shqipëri janë kokëforta pasi shqiptarët po vdesin trotuareve të përzënë nga spitalet, vendi ka numrin më të ulët të mjekëve në Ballkan, pagat janë më të ulëtat për mjekët, buxheti më i ulët për shëndetësinë si dhe testimet për COVID-19 disa herë më të pakta se çdo vend i rajonit.

Postimi i plotë:

ER inaguroi dje për herë të dytë spitalin Covid3 pa bërë asnjë transparencë për aparaturat dhe numrin e mjekëve dhe infermierëve të specializuar që duhet të jenë në shërbim të të sëmurëve me Covid.

Ndërsa sot pa gdhirë kërkon t’u mbushë mendjen shqiptarëve se shëndetësia e epokës së rilindjes është e sukseshme dhe konkurruese në botë.

Me një raport që tregon shkallën e vaksinimit të popullsisë, ai po orvatet të bindë shqiptarët se shëndetësia shqiptare është ku e ku më mirë se shëndetësia e vendeve si Turqia ku sot shkojnë për të gjetur shërim oligarkët e PPP-ve në shëndetësi.

Ndërkohë faktet janë kokëforta dhe asnjë video 3D nuk e fsheh dot të vërtetën që jemi vendi me numrin më të ulët të mjekëve për 1000 banorë në Ballkan, kemi pagat më të ulëta për mjekët, kemi buxhetin më të ulët për shëndetësinë dhe kryejmë disa herë më pak testime për COVID se çdo vend i rajonit.

Shëndetësia në 3D e ER është çështje e kinemasë, jo e realitetit.

Realiteti thotë që shqiptarët vdesin trotuareve të refuzuar dhe të përzënë nga spitalet.

Realiteti i shëndetësisë së ER thotë që mjekët dhe infermierët ikin nga sytë këmbët nga ky vend, ndërsa diploma e studentit të mjekësisë shërben thjesht si vizë pune në Gjermani.

 

Të fundit