Flash News

Ditari i Opozitës

"Drejtuesit të raportojnë te 'Ligjet'", Çupi: Hije manipulimi për pranimet në Shkollën e Magjistraturës

"Drejtuesit të raportojnë te 'Ligjet'",

Deputetja e PD, njëherësh nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve, Dhurata Çupi thotë se opozita ka dyshime të forta që procesi i pranimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë në Shkollën e Magjistraturës është manipuluar.

Në një postim në Facebook, ajo shkruan Drejtori dhe Këshilli Drejtues duhet të raportojnë te komisioni i ‘Ligjeve’ për skandalin e provimit te Shkolla e Magjistraturës.

"Anëtarët e opozitës në Komisionin e Ligjeve do të këmbëngulin në kërkesën për transparencë mbi hijet e manipulimit të provimit të pranimit në Shkollën e Magjistraturës. Mazhoranca nuk duhet të pengojë as transparencën dhe as llogaridhënien e institucioneve publike, duke garantuar padyshim parimin e ndarjes dhe balancës mes pushteteve.

Zyrtarisht do të ripërsërisim kërkesën për raportim në Komisionin e Ligjeve të Drejtorit dhe Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

Administrimi i rregullt dhe korrekt i provimit për pranimin në Shkollën e Magjistraturës të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë është garanci për pavarësinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në të ardhmen. Kuvendi nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj shqetësimit publik të këtyre ditëve, që ngre dyshime serioze mbi procesin dhe rrezikon besueshmërinë e sistemit të drejtësisë për të paktën 30 vitet e ardhshme", shkruan deputetja e opozitës. 

Të fundit