Flash News

Ditari i Opozitës

E-albania ende jashtë funksionit, PD: Shërbimi online flluskë sapuni, të dhënat e qytetarëve në rrezik

E-albania ende jashtë funksionit, PD: Shërbimi online flluskë

Qeveria deklaroi sot se 4 shërbime janë rikthyer online për qytetarët, ndërsa edhe faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i Fiskalizimit është vënë në funksion të plotë.

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Jola Hysaj, tha në një deklaratë për mediat nga selia blu se bllokimi për shkak të sulmit kibernetik ka paralizuar qindra shërbime për qytetarët.

Hysaj tha se nga raportimet që janë referuar pranë PD-së, ka një bllokim total që nga marrja e certifikatave familjare apo mjekësore, pensioneve dhe rrogave.

PD i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse “të hulumtojnë mbi atë që qeveria e ka lajmëruar si hakerim.”

Deklaratë e Sekretares për Marrëdhënie me Publikun, Jola Hysaj: 

Serveri i qeverisë vazhdon të jetë i rënë, gjë që ka paralizuar me qindra shërbime të domosdoshme, duke e kthyer Shqipërinë në epokën para internetit.

 Raportimet që na vijnë nga terreni bëjnë me dije për bllokim total, që nga marrja e certifikatave familjare apo mjekësore, pensioneve, rrogave, e me radhë.

Edhe tatimet dhe gjykatat janë bllokuar në disa prej funksioneve më bazike.

Një ditë e vetme mjaftoi për të kuptuar se pse platforma dhe reforma qeveritare, bashkë me qindra shërbime online, për të cilat kryeministri mburrej, rezultuan një fluskë e madhe.

Një shërbim amator dhe i politizuar si AKSHI i qeverisë, ka dëshmuar edhe njëherë se, më shumë se shërbime u bën dëm qytetarëve shqiptarë.

Partia Demokratike u bën thirrje organeve përgjegjëse të hulumtojnë mbi atë që qeveria e ka lajmëruar si hakerim.

Nuk është hera e parë që të dhënat e qytetarëve derdhen rrugëve digjitale dhe bien në duar të pasigurta.

Ne gjithashtu dyshojmë te profesionalizmi dhe gatishmëria e AKSHI-t për tu përballur me skenarë të tillë.

Një pyetje që bëjmë në emër të qytetarëve është: Pse nuk ka një server të dytë i cili të shërbejë si host i databazave të të dhënave?

Kjo është një masë që edhe një portal lajmesh e merr.

Ky është një kriter normal në botën digjitale.

Çdo orë që kalon e shton kaosin dhe mundimin e qytetarëve për të aksesuar shërbimet jetike, siç rrezikon të dhënat e secilit prej nesh.

Të fundit