Flash News

Ditari i Opozitës

Eksodi i të rinjve/ PL: Shqipëria po shpopullohet nga keqqeverisja!

Eksodi i të rinjve/ PL: Shqipëria po shpopullohet nga keqqeverisja!

Partia e Lirisë ngriti shqetësimin për vijimin e largimeve masive nga vendi, duke akuzuar qeverinë Rama se ka agjendë kryesore shpopullimin e Shqipërisë.

Kryetarja e Lëvizjes se gruas për integrim, Myrvete Asqeri,  në një deklaratë për media, u shpreh se Agjencia Europiane e Statistikave e ka renditur Shqipërinë, si vendin me rënien me të madhe te  numrit të popullsisë. 

Deklarata e Asqerit

Qeveria e “rekordeve të zeza”, që kryeaxhendë të saj ka shpopullimin e vendit, e ka renditur së fundmi Shqipërinë me rënien më të madhe të numrit të popullsisë në krahasim me të gjitha vendet e tjera të Europës.

Sipas Agjencisë Europiane të Statistikave, popullsia e Shqipërisë është reduktuar me 18% në fund të vitit 2024, në krahasim me vitin 2011.

Të dhënat e publikuara nga Eurostat janë një dramë kombëtare që nuk mund të fshihet më pas propagandës dhe fasadave.

Shqipëria po tkurret dhe po plaket më shpejt se të gjitha vendet e Europës sepse të rinjtë nuk e shohin më Atdheun e tyre si vendin ku duan të shkollohen e të ndërtojnë të ardhmen e tyre, për shkak se kjo Qeveri u ka shpallur luftë të rinjve, duke u vrarë shpresat dhe ëndrrat.

Shqipëria po shpopullohet sepse keqqeverisja dhe korrupsioni e kanë bërë të pamundur jetesën normale për familjet e reja, aq sa për të blerë një apartament, një çifti me të ardhura mesatare i duhen 70 vite punë, ndërkohë që mbi 70 mijë apartamente janë bosh në Tiranë pasi përmes tyre pastrohen paratë e krimit dhe korrupsionit.

Shqiptarët largohet sepse “shëndetësia falas” rezultoi një premtim-mashtrim i madh, ndërkohë që bujqësia e blegtoria në vend të mbështeten me subvencione falimentohen me qëllim nga favorizimi i importit.
Të ikësh nga vendi yt nuk është zgjedhje, është akt dëshpërimi dhe ky dëshpërim masiv është produkti i drejtpërdrejtë i një qeverisjeje të korruptuar, të paaftë dhe antikombëtare.

Të rinjtë po largohen. Familjet po shpërbëhen. Fshatrat po zbrazen. Dhe qeveria hesht, vjedh dhe buzëqesh nga ekranet. Kjo është politika e këtij regjimi, të shporrësh qytetarët që nuk të duartrokasin dhe të mbushësh rrugët me heshtje.

Shqipëria nuk mund të zbrazet më për të mbushur xhepat e një pakice të pangopur, por ka nevojë për një projekt të ri kombëtar, ku shpresa, dinjiteti dhe e ardhmja të mos jenë bileta avioni, por arsye për të qëndruar.

Ne nuk mund të rrimë indiferentë përballë këtij eksodi modern që po shkatërron themelin shoqëror të vendit tonë. Kjo nuk është çështje partie, por mbijetese kombëtare. Partia e Lirisë ka një program të qartë dhe të detajuar, 5 prioritete për 4 milion shqiptarë plus, për të ndalur shpopullimin dramatik të vendit.

Në qendër të këtij programi është kthimi i shpresës përmes mbështetjes së familjeve të reja, investimeve në arsim, bujqësi, dyfishim pagash e pensionesh, punësim real, shërbime shëndetësore dinjitoze, dhe një luftë të pakompromis kundër korrupsionit që po largon çdo ditë shqiptarët nga vendi i tyre.

Partia e Lirisë beson se vetëm duke e shndërruar Shqipërinë në fuqi prodhuese dhe eksportuese, mund të bëhet vendi ku qytetarët nuk ikin për të mbijetuar, por të jetojnë me dinjitet për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

Të fundit