Flash News

Ditari i Opozitës

Ervin Salianji do të paraqitet në Policinë e Tiranës, PD thërret protestë

Ervin Salianji do të paraqitet në Policinë e Tiranës, PD

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, pritet të paraqitet këtë pasdite në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Sipas njoftimit, Salianji do të shkojë në orën 16:45 për të përmbushur procedurat ligjore pas vendimit të fundit të gjykatës që e dënoi me burg për çështjen "Babale".

Ndërkohë, Partia Demokratike ka njoftuar organizimin e një proteste para Drejtorisë së Policisë në orën kur Salianji do të paraqitet.

Mbështetës të shumtë të opozitës, përfshirë edhe figura kryesore të PD-së, pritet të jenë të pranishëm për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre ndaj deputetit. Protesta synon të denoncojë atë që PD e konsideron një "sulm të orkestruar politikisht" ndaj Salianjit dhe një "abuzim me drejtësinë".

Çështja "Babale", ku Salianji u dënua për shpifje lidhur me akuzat ndaj ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe vëllait të tij, ka qenë një nga çështjet më të diskutuara dhe të debatueshme në arenën politike të viteve të fundit.

Vendimi gjyqësor i ditëve të fundit ka shkaktuar reagime të ashpra nga opozita dhe mbështetësit e saj, të cilët e shohin këtë si një përpjekje për të heshtur kritikat ndaj qeverisë.

Të fundit