Flash News

Ditari i Opozitës

Sulmet në veri/ PD në mbështetje të Kosovës: Qeveria shqiptare ta ndihmojë, “Ballkani i Hapur” një hipokrizi

Sulmet në veri/ PD në mbështetje të Kosovës: Qeveria

Ish-ministri i Jashtëm, aktualisht anëtar i Kryesisë së PD-së, Aldo Bumçi dënoi sulmet e Serbisë në veri të Kosovës. Në një deklaratë nga selia blu, ai bëri me dije se PD po ndjek me shqetësim situatën, ndërsa shprehu mbështetjen ndaj autoriteteve në Kosovë.

“Ne e inkurajojmë si të drejtë vendimin e qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitet në marrëdhëniet me Republikën fqinje të Serbisë.

Qeverisë së Serbisë, i bëjmë thirrje t’u përmbahet të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut, dhe t’i zbatojnë ato pa vonesë.

Ne dënojme përpjekjet e Serbisë, përmes deklaratave dhe veprimeve që nxisin konfliktin, synojnë destabilizimin e Kosovës, dhe janë me pasoja për të gjithë rajonin”, tha Bumçi.

Ky i fundit i bëri thirrje qeverisë shqiptare të ndërmarrë pa vonesë hapat në mbështetje të autoriteteve të Kosovës.

“I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare, të ndërmarrë pa vonesë të gjithë hapat e nevojshëm për të mbështetur qeverinë e Kosovës, në përpjekjet legjitime për të ushtruar në mënyrë të plotë sovranitetin e saj, dhe të dënojë çdo akt të autoriteteve serbe që nxit konflikte për llogari të aktorëve të tretë”, shtoi ai.

Bumçi u ndal edhe te nisma “Ballkani i Hapur”.

“Në fund, duam të theksojmë përmes këtij rasti flagrant hipokrizinë e nismës së Ballkanit të Hapur dhe protagonistëve të saj Rama dhe Vuçiç.

Nëse hapja do të ishte synimi i tyre, nëse Kosova do të konsiderohej, siç thonë, e mirëpritur në këtë projekt, aktet absurde të nacionalizmit të shekullit 19 dhe paradat e serbomadhnisë në kufirin mes dy vendeve, nuk do të përsëriteshin edhe njëherë, në ato toka ku vetëm para pak vitesh luhej teatri i përgjakur i luftës”, deklaroi ish-ministri.

Të fundit