Flash News

Ditari i Opozitës

“Fara e keqe, e tillë mbetet”, Berisha nga Fieri: Jemi aq zemërgjerë sa që do i falnim Lul Bravës 20 karrige

“Fara e keqe, e tillë mbetet”, Berisha nga Fieri: Jemi aq

Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë sot në një ceremoni me rastin e 31-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në Fier. Në fjalën e tij, Berisha nuk i ka kursyer sulmet ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës, për të cilin tha se "fara e keqe, e tillë mbetet".

Berisha përmendi dhe betejën për selinë e Partisë Demokratike. Berisha tha nga Fieri se qëllimi nuk është zyra apo karriget, duke shtuar se ai është aq zemërgjerë sa t’i falë Bashës 20 karrige dhe 20 brava.

"Ai dështoi në çdo nisëm që ndërmori në 8 vite, ai nuk u bë kurrë lider i besueshëm. Jo se ne nuk punuam, por e thotë populli me mençuri të jashtëzakonshme, “fara e keqe, e tillë mbetet”. Dje më pyeste një mik më thoshte “si ka mundësi ky njeri?”. Asnjë mundësi nuk ka, veç se ishte një farë e keqe që ne nuk e kuptuam. Asnjë njeri nuk ka shfaqur standardet e ulëta morale të këtij njeriu. Ky dëshmoi se është i zhveshur nga çdo parim dhe se është i gatshëm që për karrigen e tij të bëjë gjithçka. Pasi kaloi nga humbja në humbje në 8 vjet, i thotë shqiptarëve “më ndiqni se jam e ardhmja”. Edi Rama me pengun e tij kërkojnë të marrin shtëpinë e lirisë, shtëpinë tuaj, shtëpinë tonë. Më lejoni për secilin prej jush, për çdo shqiptare dhe shqiptar, t’u sqaroj dhe garantoj se këtu nuk është problemi për një karrige apo për një zyrë, se ne jemi aq zemërgjerë sa që do i falnim Lul Bravës 20 karrige dhe 20 brava. Problemi është tek parimi themelor i çdo demokracie të vërtetë, në të cilin shumica sundon dhe pakica respektohet,"- tha Berisha.

Kujtojmë se Grupi i Rithemelimit të PD-së, do të organizojë protestë në datën 8 janar, ku s’kanë munguar as zërat që flasin për largimin me forcë të Bashës nga selia.

Për këtë protestë, Berisha u shpreh se do të jetë paqësore.

Të fundit