Flash News

Ditari i Opozitës

Gara për Bashkinë e Tiranës, Gert Bogdani prezanton kandidaturën për primaret në PD

Gara për Bashkinë e Tiranës, Gert Bogdani prezanton

Gert Bogdani i është bashkuar garës së primareve në Partinë Demokratike për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Bogdani ka prezantuar platformën e tij të kandidatit në garën për bashkinë e Tiranës. I pari ishte Belind Këlliçi që shpalli kandiaturën për primaret në PD për Bashkinë e Tiranës.

Bogdani u ndal te problematikat e kryeqytetit, teksa deklaroi se sot Tirana është deformuar. Mes tyre, Bogdani listoi: shkatërrimin e gjelbërimit dhe betonizimin e kryeqytetit, mungesën e vëmendjes për shtresat në nevojë, taksat dhe furnizimin me ujë, ndotjen e ambientit, gjobat e pafundme, vendparkimet dhe shumë problematika të tjera.

Bogdani u shpreh i bindur se bashkë me demokratët do të sjellin një alternativë tjetër dhe një ndryshim për Tiranën.

“Fatkeqësisht ndër vite dhe sidomos këto 8 vite të fundit, Tirana ka pësuar një deformim të rëndë dhe ka përjetuar, jo vetëm një shkatërrim të trashëgimisë dhe identitetit, por edhe një përkeqësim të ndjeshëm të jetës sonë të përditshme si banorë të kryeqytetit!

Nuk ka asnjë banor të Tiranës, që nuk i vuan sot pasojat e keqmenaxhimit të qytetit! Duke filluar që nga fëmijët, të cilëve u janë zhvatur hapësirat e gjelbëra dhe parqet e lojërave, për t’i kthyer në beton!
Ndërtimet dhe betonizimi pa kriter që po i marrin frymën çdo ditë e më shumë çdo banori të këtij qyteti!
Trafiku i rënduar çdo orë të ditës dhe çdo ditë të javës, i cili i vjedh qytetarëve para dhe kohë;
Ajri i ndotur që thithim përditë dhe ndotja akustike nga kamionët dhe betonieret që e kanë pushtuar qytetin.

Shkatërrimi i gjelbërimit, për të mbjellë beton!

Ambjenti i ndotur dhe kazanët e mbushur plot me plehra, ndërkohë që Bashkia çon dëm dhe paguan në mënyrë korruptive miliona euro për pastrimin dhe menaxhimin e mbetjeve dhe inceneratorëve!
Mungesa e furnizimit dhe cilësia e ujit të pijshëm, ku premtimi për 24 orë ujë në ditë, ka kohë që është bërë refren elektoral sa herë që ka zgjedhje!

Biznese e banorë që nuk kanë asnjë shërbim, por paguajnë taksa çdo herë e më të larta!
Mungesa e vëmendjes ndaj shtresave në nevojë, arroganca ndaj nënave dhe baballarëve që mundohen të sigurojnë jetesën si shitës ambulantë dhe sulmi ndaj kujtdo që mundohet të nxjerrë bukën e gojës me ndershmëri në këtë qytet;
Një transport publik që nuk garanton kushtet më minimale, jo thjeshtë të cilësisë, por as të sigurisë; Mungesa e vendparkimeve, kostot e papërballueshme në krahasim me rrogat dhe gjobat e pafundme abuzive me të cilat banorët  zgjohen çdo mëngjes mbi xhamat e makinave të tyre! Një qytet që përmbytet me 12 minuta rrebesh vere, sepse paratë janë hedhur, por kanalizime nuk ka;Një qytet ku ndërtohet sikur të ishte viti 2050, por infrastruktura ka mbetur ajo e vjetra ende në vitin 1950!

Mungesa totale e vëmendjes për zonat rurale, për infrastrukturën, për shërbimet e për mirëqënien e banorëve të këtyre zonave, vetëm sepse janë larg objektivit të kamerave dhe propagandës; Mungesa e theksuar e respektit ndaj ligjit, arbitrariteti dhe dhunimi i pronës private dhe mirëqenies së komuniteteve të tëra Tiranës, duke filluar që nga shaktërrimet tek 5 Maji, Lapraka, Shkoza, Baldushku e Kombinati e deri tek mungesa totale e respektit të trashëgimisë, traditës dhe identitetit të kryeqytetit, që kulmoi me shkatërrimin e Teatrit Kombëtar!
Ky është një moment vendimtar për të marrë në dorë fatet tona dhe për të bërë ndryshimin, të gjithë bashkë, pa dallim!

Tirana sot ka nevojë për alternativë, për shpresë, ka nevojë për vëmendje dhe respekt ndaj qytetarëve.
Tirana sot meriton të qeveriset me integritet dhe transparencë, me përkushtim dhe vizion për një qytet më të mirë, sepse Tirana meriton më shumë, qytetarët e saj meritojnë më shumë!
Ndaj, jam besimplotë që të gjithë së bashku, demokratë dhe qytetarë të Tiranës, mund ta sjellim dhe do ta sjellim këtë ndryshim!”, deklaroi Bogdani.

Të fundit