Flash News

Ditari i Opozitës

Genc Pollo: Shqipëria ishte i pari shtet ish-komunist që kërkoi anëtarësim në NATO

Genc Pollo: Shqipëria ishte i pari shtet ish-komunist që kërkoi

Genc Pollo, në aktivitetin e mbajtur në selinë blu me rastin e 15 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, tha se Shqipëria ishte i pari shtet ish-komunist i cili kërkoi të bëhej pjesë e NATO-s.

Pollo tha se kjo kishte të bënte me një vizion largpamës dhe proatlantik të Partisë Demokratike.

“Në mes të viti 1992, një delegacion i Aleancës së Atlantikut të Veriut i kryesuar nga Ndihmëssekretari i Përgjithshëm, vizitoi për herë të parë Tiranën. Në takimin me presidentin Berisha, ku kisha privilegjin të isha i pranishëm, ky i fundit shprehu vullnetin e shtetit shqiptar dhe kërkesën zyrtare për anëtarësim në NATO.

Gjysmë viti më pas, presidenti i Republikës do të vizitonte selinë e NATO-s në Bruksel ku do të pritej nga Sekretari i Përgjithshëm Verner dhe do të fliste para Këshillit të Atlantikut të Veriut. Treçerek viti më pas, z. Verner do të vizitonte Shqipërinë krahas shumë qeveritarëve të tjerë nga shtetet anëtare të aleancës.

Në këtë sfond, takimi në fjalë është kollaj të harrohet. Megjithatë, mendoj, se ai mbetet i veçantë.

Së pari, sepse zyrtarizoi kundrejt NATO-s një qëndrim të formësuar nga Partia Demokratike gjatë viteve 91’- 92. Sot, në retrospektivë, kjo duket e vetëkuptueshme, por në kontekstin e izolimit politik në dekada, të tezave “as Lindje, as Perëndim, por urë lidhëse mes tyre” apo të sugjerimeve për një neutralitet alla zviceran, proatlantizmi intrazigjen i Partisë Demokratike, pa ekzagjeruar, mund të quhet revolucionar dhe me përvojën e deritanishme, largpamës.

Së dyti, sepse ishte e para kërkesë zyrtare për anëtarësim e paraqitur nga një shtet ish-komunist pas rënies së Perdes së Hekurt.

Pse Shqipëria në këtë pikë ishte e para dhe u shpreh për t’iu bashkuar NATO-s më herët, se bie fjala, Polonia?! Për këtë nevojitet një hulumtim krahasues, por ky fakt i dha një besueshmëri të shtuar Shqipërisë si prijëse rajonale në kuptimin e Evropës Lindore të një trendi gjeopolitik dhe qytetërimor”, tha Pollo.

 

Të fundit