Flash News

Ditari i Opozitës

Gjekmarkaj akuza mazhorancës: Keni marrë peng Parlamentin

Gjekmarkaj akuza mazhorancës: Keni marrë peng Parlamentin

Nënkryetari i Kuvendit dhe njëherazi deputet i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka akuzoi mazhorancën nga Konferenca e Kryetarëve se po zvogëlon hapësirën e opozitës në Parlament.

Gjekmarkaj u shpreh se seanca e djeshme ishte dëshmi e tentativës për të zvogëluar mekanizmat e kontrollit mbi qeverinë dhe institucionet.

Demokrati tha se PS kërkon që të mos dalë nga kontrolli situata me interpelancat për t’u ballafaquar me aferat.

“Ju po përpiqeni të depersonalizoni opozitën, por në fakt po depersonalizoni vetveten. Ju nuk e kuptoni në këtë turravrap se duke zvogëluar liritë dhe hapësirat e opozitës, keni ngushtuar liritë e hapësirat tuaja jetike politike e njerëzore! Andej nga e kam unë origjinën, kanë një fjalë të urtë: 'Nuk të mban ajo çfarë sheh!' Kemi parë kësaj ane Vip socialiste, e kujtoni Saimir Tahirin, sa pimpant, sa arrogant, sa vrapues e kumbues ka qenë? Njerëzit i dukeshin miza!

Po ashtu Arben Ahmetajn, Tigri i zhburreruar në Tigrush, të cilit Tokësorët i ngjani të parëndësishëm!

Beqen e Lalin gjithashtu në apogje! U përdorën, u hollën dhe në fund secili prej tyre kërkon mbrojtjen që ju takon si individ në kushtet e shtetit ligjor, por kërkojnë tek ligjet dhe tek Kushtetuta që ju po copëtoni ditë pas dite! Pse po e them këtë? Askush nuk e mbron militantizmi dhe njëanshmëria, por rregullat e shkruara dhe të respektuara bashkërisht!

Ajo që ndodhi dje ishte përsëri tentativa e radhës për të zvogëluar mekanizmat e kontrollit mbi Qeverinë dhe Institucionet!

Deputetët nuk kanë të drejtë vetëm të depozitojnë pyetje, por të bëjnë pyetje në cilën formë ata ta dëshirojnë! Ju dje e prishët këtë traditë dhe frymë të rregullores, jo se patët hallin e komisionerit, i cili për hir të së vërtetës tregoi dinjitet duke mos u bërë pjesë e skenarit tuaj!

Deputeti i bën pyetjet live, mund t’i interpretojë, mund t’i kontekstualizojë, mund t’i azhurnojë, mund t’i shkruajë pa imponim! Shqetësimi juaj është tjetër: nuk doni t’u dalë jashtë parashikimit interpelanca me institucionet e drejtësisë për aferat korruptive të depozituara në SPAK! Doni që ky moment të kalojë sa më shpejt dhe në terr, mundësisht”, deklaroi Gjekmarkaj.

Të fundit