Flash News

Ditari i Opozitës

Gjekmarkaj kundërshton nismën e Gjinushit: Duan të shkrijnë Akademinë Albanologjike. Ka konflikt interesi

Gjekmarkaj kundërshton nismën e Gjinushit: Duan të shkrijnë

Kryetari i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik Agron Gjekmarkaj është shprehur kundër nismës për të shkrirë Akademinë Albanologjike dhe për ta vendosur nën varësi të Akademisë së Shkencave.

Duke hedhur një sërë akuzash ndaj drejtuesit të "Shkencave" Skënder Gjinushit, Gjekmarkaj vë theksin te rëndësia që ka Akademia e Studimeve Albanologjike.

Albanologjia, thekson ai, është shkenca e vetme që lidhet me historinë, gjuhësinë, identitetin dhe arkeologjinë shqiptare. Gjithashtu thekson se përbëhet nga katër institute dhe mbi 100 kërkues shkencorë, akademikë e profesorë.

"Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e cila drejtohet nga një prej politikanëve kryesorë të së majtës, Skender Gjinushi, ish ministri i fundit i arsimit i sistemit komunist dhe person pa asnjë studim, botim apo artikull shkencor në 30 vitet e fundit, - ka vendosur që në kuadër të koalicionit me PS të zgjerohet, duke shkrirë Akademinë e Studimeve Albanologjike.

Albanologjia është shkenca e vetme që lidhet me historinë, gjuhësinë, identitetin dhe arkeologjinë shqiptare, është drejtim me interes publik, shtetëror e kombëtar, është institucioni kryesor që koordinon studimet shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Ajo përbëhet nga 4 institute dhe mbi 100 kërkues shkencorë, akademikë e profesorë, të cilët me një të rënë të lapsit duan ti kalojnë vartës nën urdhërat e kabinetit të Ramiz Alisë në Akademinë e Shkencave", thuhet në reagimin e Gjekmarkaj.

Ky i fundit nënvizon se ky vendim është kundër shkencës, albanologjisë dhe pavarësisë së institucioneve. Gjekmarkaj shton se kjo nismë është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, pasi rektori që e drejton këtë institut është me votë dhe dekretuar nga Presidenti.

Gjekmarkaj thotë se krijimi i Akademisë së Shkencave si strukturë drejtuese me institute në varësi institute ka qenë praktikë e vendeve ish-komuniste dhe nuk gjendet më në asnjë vend të Europës.

"Krijimi i Akademisë së Shkencave si strukturë drejtuese me varësi institute të ndryshme kërkimore ka qenë praktikë e vendeve ish komuniste. Në Shqipëri ajo është krijuar me vendim të Byrosë Politike dhe të Plenumit të KQ të PPSH në qershor 1972. Asnjë vend tjetër europian nuk e ka më atë strukturë të vjetër ideologjike, duke profilizuar shkencat në institute kërkimore dhe duke u lënë role honorifike akademive. Qeveria shqiptare ka vendosur ndryshe. Pasi Rama 1 i mori godinën studiuesve të albanologjisë, Rama 2 u shkurtoi strukturën dhe fondet, kurse Rama 3 vendos të japë dënimin e fundit, shkrirjen e tyre dhe kalimin si seksione të Gjinushit.

Nisma përveçse akt i rëndë kundër shkencës dhe albanologjisë është edhe akt administrativ në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Një rektor të zgjedhur me votë dhe të dekretuar nga Presidenti nuk mund ta shkarkojë dhe shkrijë një ministri apo qeveri. Një institucion tjetër si akademia e Gjinushit nuk mund të vendosë shkrirjen e akademisë albanologjike. Një nismë në konflikt interesi nuk mund të shndërrohet në akt zyrtar të qeverisë", shton Gjekmarkaj.

Në emër të komisionit që drejton, ai i ka kërkuar qeverisë të tërheqë nismën, ndërsa apelon presidentin Ilir Meta që të japë qëndrimin e tij mbi këtë çështje.

Të fundit