Flash News

Ditari i Opozitës

Haga kërkon 180 vite burg për ish-krerët e UÇK, Berisha: Akuza propagandistike ndaj aleatëve të NATO-s

Haga kërkon 180 vite burg për ish-krerët e UÇK, Berisha:

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin me rreth 180 vite burg në total ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Berisha u shpreh se, ndonëse drejtësia duhet të japë verdikt për çdo krim dhe ndaj kujtdo që e ka kryer atë, sipas tij, gjatë procesit gjyqësor nuk janë paraqitur prova, fakte apo dokumente që të provojnë krime konkrete nga të akuzuarit.

Kryedemokrati e cilësoi aktakuzën si një ripërsëritje të propagandës së ultranacionalistëve serbë dhe theksoi se ish-udhëheqësit e UÇK-së ishin aleatë të NATO-s në luftën për çlirimin e Kosovës.

Ai i bëri thirrje Gjykatës që vendimmarrja të mos ndikohet nga akuza propagandistike.

REAGIMI:

Prokuroria në Hagë paraqiti sot aktakuzën ndaj ish-udhëheqësve politikë të Kosovës! Të dashur miq, sot prokuroria speciale e Gjykatës së Kosovës në Hagë paraqiti akuzat më të rënda dhe kërkoi vite burg për më shumë dekada, rreth dy shekuj të marrë së bashku, për udhëheqësit më kryesorë të luftës çlirimtare të Kosovës.

Duke qenë i bindur se drejtësia duhet të japë verdiktin e saj për çdo krim dhe ndaj cilitdo që e ka kryer atë, dhe pasi kam ndjekur me vëmendje procesin shumëvjeçar të gjykimit, dhe kam konstatuar se para publikut nuk është paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument që të provojë krime konkrete të kryera nga të akuzuarit, deklaroj se: akuza e paraqitur sot ndaj ish-udhëheqësve të UÇK, ish-aleat të Natos në luftën për çlirimin e Kosovës, është një ripërsëritje e shpifjeve të propagandës të ultranacionalistëve serbë dhe trillimeve të famziut Vukçeviç, që formuloi i pari ndaj tyre akuzën monstruoze të “shkuljes së organeve” nga serbët, robër lufte, dhe trafikimin e tyre, madje në territorin e Shqipërisë.

Me këtë rast, i bëj thirrje Gjykatës që në vendimet e saj të mos ndikohet në akuzat propagandistike që tejkalojnë çdo kufi dhe janë të pashembullta në historinë e drejtësisë ndërkombëtare, dhe të konfirmojë në emër të ligjit pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës.

Të fundit