Flash News

Ditari i Opozitës

Harxhi thyen heshtjen zgjedhore: Ende nuk jam pajisur me listën e antarësisë, po dëmtohet besueshmëria

Harxhi thyen heshtjen zgjedhore: Ende nuk jam pajisur me listën e
Edith Harxhi

Kandidatja për kryetare e PD, Edith Harxhi ka thyer heshtjen zgjedhore dhe ka ngritur pretendimin se nuk është lejuar të shikojë listën e anëtarësisë. Përmes një njoftimi për mediat, Harxhi bën me dije se deri në orën 16.00, ajo nuk është pajisur me listën e antarësisë me të drejtë vote.

"Përfaqësuesit e kandidatëve për kryetar, përfshirë dhe përfaqësuesin tim si audit i të dhënave kompjuterike, z. Irel Elezi, nuk janë lejuar të kontrollojnë në sistem listën e antarësisë, me të cilën do votohet në dt. 13 qershor 2021. Deri tani, ora 16:00 dt. 12 qershor 2021, unë, si një nga kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, ende nuk jam pajisur me listën e antarësisë me të drejtë vote", thotë Harxhi.

Kjo e fundit shton se ky veprim dëmton besueshmërinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në PD. Ajo i ka kërkuar kryetarit të Komisionit Zgjedhor, Jemin Gjanës që të marrin masat menjëherë dhe t'ju vendosin në dispozicion kandidatëve listën e anëtarësisë.

"Prandaj i kërkoj kryetarit të Komisionit Zgjedhor të Partisë Demokratike, si dhe gjithë personave të tjerë përgjegjës, të marrin të gjitha masat për të mundësuar sa është vendosur dhe parashikuar nga Statuti i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Gjithashtu i bëj thirrje të gjithë antarëve të Partisë, me të drejtë vote, që nesër, dt. 13 qershor 2021, të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të shprehen me vullnet të lirë për kandidatin që do t’i përfaqësojë si Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë", shton Harxhi.

Nesër anëtarët e partisë do të shkojnë drejt kutive për të zgjedhur drejtuesin e ri të PD. Në garë për kreun e PD janë: Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj.

Të fundit