Flash News

Ditari i Opozitës

Hasani, si Ali Kimiku, ha turpin me bukë dhe i bën fresk talebanizmit elektoral të 11 majit!

Hasani, si Ali Kimiku, ha turpin me bukë dhe i bën fresk talebanizmit

Nga Petrit Vasili

Mjerisht, niveli i diplomacisë haxhiqamiliste rilindase është sot një realitet i ulur këmbëkryq në zyrën e Ministrit të Jashtëm Hasani.
Ashtu si Ministri i Propagandës së Sadam Huseinit, Ali Kimiku, ashtu edhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë i bën propagandë 11 majit talebanesk dhe e quan sukses të madh.

Me një nivel mizerabël të respektit për veten, ky i ashtuquajtur Ministër i Jashtëm i shkruan OSBE-së, BE-së dhe Këshillit të Europës dhe u thotë:
"Në këtë kuadër, më duhet të shpreh shqetësimin serioz lidhur me paragrafin hyrës të Deklaratës, i cili paraqet një pasqyrim ndjeshëm negativ dhe, sipas mendimit tonë, të paekuilibruar të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025."

Po si mundet të vetëposhtërohet njeriu në këtë fare feje?
Pamjet filmike pa fund, të regjistruara nga kamerat zyrtare, tregojnë mijëra manipulime të fëlliqura rilindase, me zë dhe me figurë.
Foto, dokumenta e shkresa pa mbarim që tregojnë shitblerjen e votës kanë përmbytur median kombëtare dhe ndërkombëtare.

Opinioni europian i pa me sytë e tij, gjatë misioneve vëzhguese të zgjedhjeve, talebanizmin shtetëror elektoral, pa pasur nevojë të lexojë broçkullat prej Ali Kimiku të Ministrit Hasani.
Dhuna ndaj votës dhe opozitës u shfaq live në media edhe ditën e zgjedhjeve.

Vota e diasporës më 11 maj ishte një damkë e zezë e manipulimit, e provuar me mijëra dokumenta, fakte dhe dëshmi që tregonin se deri ku mund të arrinte kriminalizimi elektoral rilindas.
Teknologjia provoi që dhjetëra herë votonin rilindasit, dhe teknologjia e falimentuar nuk i ndalte askund.

Por Ministri, në letër, me një kurajë vërtet idiote, vazhdon e shkruan:
"Toni dhe korniza e këtij paragrafi hyrës rrezikon të errësojë kontekstin më të gjerë të përparimeve të bëra, përfshirë përmirësimet demokratike si rritja e transparencës, avancimi i teknologjisë zgjedhore dhe, në mënyrë të veçantë, zbatimi me sukses i votimit nga jashtë vendit."

Ndaj, pyetjet e mëdha janë:
Si mundet që ministri të shkruajë hajvanllëqe të tilla dhe të pretendojë përparime, kur 11 maji ishte funerali i zgjedhjeve të lira në Shqipëri?
Vërtet të ketë ky një deficit intelektual dhe moral kaq të madh, kur arrin të firmosë një letër të tillë?
Cili është ai motiv që e bën këtë Ministër të hajë turpin me bukë deri në këtë nivel?
A nuk e njeh ky Ministër konceptin më minimal të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme?
Po çfarë do të thoshte ky ministër sikur të ishte në opozitë për zgjedhje si këto?

Përfundim:
Një njeri me minimumin e integritetit do të jepte dorëheqjen dhe nuk do të pranonte kurrë të ndyhej duke firmosur një letër të tillë për një karrige ministri, që sot e ke dhe nesër e lë.
Por duket qartë që edhe diplomacia shqiptare është tashmë shëmbëlltyrë e talebanizmit veçse duke ndërruar çallmën e talebanëve me kollaren e ujdisur mirë të rilindasve të Edi Ramës, që hanë pa problem çdo lloj turpi me bukë për hir të kafshatës pushtetore që u hedh ai.

Të fundit