Flash News

Ditari i Opozitës

Haxhiu: Shqipëria përballë një katastrofe demografike

Haxhiu: Shqipëria përballë një katastrofe demografike

Partia e Lirisë ka reaguar për situatën e rëndë demografike me të cilën por përballet Shqipëria.

Zv. Sekretarja e Përgjithshme e kësaj force politike, Brunilda Haxhiu tha në një deklaratë për mediat se, “rënia e lindshmërisë nuk është thjesht pasojë e trendeve globale, është pasojë direkte e mashtrimeve, dështimeve dhe korrupsionit të kësaj qeverie”.

E plotë:

Deklarata e Zv. Sekretares të Përgjithshme të Partisë së Lirisë,  Znj. Brunilda Haxhiu.

Përshëndetje!

Shqipëria ndodhet sot përballë një katastrofe demografike. Lindshmëria është në nivelet më të ulëta historike, emigracioni ka marrë përmasa dramatike, ndërsa çdo vit mijëra të rinj largohen nga vendi pa kthim. Kjo nuk është më një krizë, është një shpopullim i heshtur, i nxitur nga një regjim që për më shumë se një dekadë ka vrarë shpresën, ka asgjësuar meritokracinë dhe ka kthyer vendin në një fushë boshimi të vazhdueshëm.

Rënia e lindshmërisë nuk është thjesht pasojë e trendeve globale, është pasojë direkte e mashtrimeve, dështimeve dhe korrupsionit të kësaj qeverie. Një vend ku të rinjtë nuk shohin të ardhme, ku familjet e reja nuk guxojnë të lindin fëmijë, dhe ku siguria ekonomike është zëvendësuar nga pasiguria totale, nuk mund të pretendojë stabilitet as zhvillim.

Kjo është Shqipëria që ka ndërtuar kjo qeveri, një vend bosh, që qeveriset me propagandë dhe mbahet me vota të manipuluara.

Zgjedhjet e 11 majit janë dëshmia më e fundit e këtij realiteti të dhimbshëm: një masakër zgjedhore që manipuloi masivisht procesin zgjedhor, e bëri me votuesit në Shqipëri dhe më e rëndë akoma me emigrantët, të njëjtët qytetarë që janë larguar pikërisht për shkak të këtij regjimi. Përmes manipulimit të votës, kjo qeveri po mban pushtetin me çdo mjet, vetëm për të vazhduar rrënimin moral, ekonomik dhe demografik të vendit.

Kjo nuk është vetëm një çështje zgjedhjesh të manipuluara, është një krim politik kundër të ardhmes së Shqipërisë. Në vend që të ndërtojë politika për të mbajtur të rinjtë këtu, për të nxitur lindshmërinë dhe për të rikthyer emigrantët, qeveria ka zgjedhur të mos i dëgjojë dhe t’ju vjedhë votën.

Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. E ardhmja po largohet çdo ditë, në heshtje, në avionë, në ambasada, në kufij. Dhe kjo qeveri është shkaku, jo zgjidhja.

Të fundit