Flash News

Ditari i Opozitës

"Do dënojmë gjenocidin serb dhe do heqim traun", Basha: Historia s'mund të rishkruhet nga agresorët

Basha: Zotohem që pas 25 prillit Kuvendi i ri i Shqipërisë do të votojë rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë dhe do heqim traun.

"Do dënojmë gjenocidin serb dhe do heqim traun", Basha:
Në foto: Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kreu i PD-së Lulzim Basha

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e tretë të vizitës së saj në Shqipëri ka zhvilluar një takim me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në të cilën është diskutuar për bashkëpunimin mes vendeve dhe gjenocidin serb në Kosovë.

Gjatë një konference të përbashkët me Osmanin, kryedemokrati Basha u zotua se pas 25 prillit do të ketë ndryshime rrënjësore në qasjen e politikës së Tiranës ndaj Kosovës.

Po ashtu, Basha u zotua në miratimin nga Kuvendi i pas 25 prillit të rezolutës për gjenocidin serb në Kosovë, duke thënë se nuk mund të lejojmë që historia të rishkruhet nga agresorët, si dhe heqjen e traut për lëvizjen e lirë mes dy vendeve.

"Dua ta falenderojë nga zemra për pritjen e ngrohtë që më bëri gjatë vizitës time në prishtinë në Korrik.

Shumë ngjarje kanë ndodhur që nga ai moment. Kam patur rastin dhe privilegjin të shkëmbejmë mendime së bashku për gjithçka ka ndodhur me kryetaren e Kuvendit dhe ushtruesen e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Së pari, shprehim domosdoshmërinë për një qëndrim të unifikuar mes Tiranës dhe Prishtinës në arenën ndërkombëtare sa i përket gjithçkaje që lidhet me Kosovën.

Dua të përsëris para medias dhe opinionit publik, para zonjës Osmani dhe institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, zotimin tim se: pas 25 prillit do të ketë një ndryshim rrënjësor të qasjes së Tiranës në mbështetje totale të institucioneve të Kosovës, si dhe vendosjen e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë në rrafsh të parë, duke zhbërë atë që fatkeqësisht edhe Komisioni Evropian ka konstatuar, rënien e nivelit të bashkëpunimit midis Tiranës dhe Prishtinës, çka është e papranueshme për Partinë Demokratike.

Në themel të ekzistencës sonë ka qëndruar gjithmonë çështja kombëtare. Jam krenar që personalisht dhe si pjesë e PD-së kemi bërë gjithçka për pavarësimin e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare. Po ashtu, jam jashtëzakonisht i brengosur nga fakti që në një kohë të vështirë për Kosovën, Prishtina zyrtare institucionet e Kosovës dhe populli i Kosovës nuk ka mbështetjen që duhet të ketë nga Shqipëria. Kjo duhet të ndryshojë.

Në këtë kuadër zotohem po ashtu se Kuvendi i ri i Shqipërisë do të miratojë jo thjeshtë dhe vetëm, rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë, por edhe një kuadër të veçantë që të obligojë të gjitha institucionet e Shqipërisë të jenë edhe njëherë, sikurse para pak vitesh, në mbështetje të institucioneve të Kosovës.

Ne nuk mund të lejojmë që historia të rishkruhet nga agresorët. Nuk mund të lejojmë që vlerat për të cilat u ngritën bijat dhe bijat e Kosovës, dhe u flijuan më të mirët e kombit tonë, vlera këto për të cilat patëm mbështetjen e partnerëve strategjik, SHBA, BE dhe NATO-s, të nëpërkëmben nga ata të cilët vazhdojnë të venerojnë agresorin që shkaktoj kaq shumë humbje jetësh gjatë luftërave, shpërbërjes së Jugosllavisë dhe në veçanti, në gjenocidin e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Ne do të mbështesim dialogun Kosovë-Serbi ku qëllimi dhe përfundimi është dhe duhet të jetë njohja e ndërsjelltë e dy shteteve për të përfunduar kështu një kapitull të dhimbshëm dhe për të hapur rrugën e stabilitetit demokratik dhe integrimit evropian të të gjitha shoqërive tona, gjë që është aspiratë e çdo qytetari të Kosovës dhe Shqipërisë.

Çështja e dytë që diskutuam është nevoja për të eliminuar barrierat zyrtare dhe jo zyrtare të cilat vijojnë të pengojnë integrimin ekonomik mes dy vendeve tona.

Ripërsëris zotimin tim se që kam bërë në Prishtinë se një nga vendimet e mija të para si Kryeministër do të jetë heqja e traut në rrugën e kombit si dhe negocimi me qeverinë Kosovare për mos vendosjen e pengesave tarifore në autostradën Ibrahim Rugova. Kjo është më minimalja që mund të bëhet.

Si dy përfaqësues të brezit të ri në politikë shohim të ardhmen e dy vendeve tek rinia.

Kemi një obligim të madh ndaj të rinjve dhe e dimë se e ardhmja ka emrin dhe fytyrën e rinisë shqiptarë. Të rinisë së Shqipërisë dhe të Kosovës. Do të bëjmë gjithçka për të forcuar ekonomitë tona që po vuajnë dhe rënkojnë prej kohësh dhe në veçanti në këtë kohë pandemie dhe për të kthyer shpresën dhe besimin e rinisë dhe gjithë qytetarëve për të ndërtuar jetën e tyre.

Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha potencialet e lidershipit politik të profesionalizmit për të udhëhequr në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për mesazhet e qarta dhe të paekuivoke të kryetares së Kuvendit dhe të ushtrueses së detyrës të presidentit të Kosovës të shprehura dhe gjatë fjalës së djeshme dhe gjatë takimit me presidentin Meta dhe ta siguroj atë dhe përmes saj institucionet dhe popullin e Kosovës se si kryetar i PD dhe opozitës sot dhe nesër me përgjegjësitë që do më ngarkojnë qytetarët shqiptarë, por pa diskutim dhe si nip i juaji do të bëj gjithçka që të rikthej bashkëpunimin në nivele më të larta. Shumë shpejt do keni fuqinë e plotë të mendjes, të zemrës dhe të energjive të Shqipërisë në krahun e Kosovës dhe çdo qytetari të saj", tha Basha.

Të fundit