Flash News

Ditari i Opozitës

Sulmi i Ramës ndaj Lalës, Tabaku: Aratisje nga llogaridhënia, gazetarët janë zëri i publikut

Sulmi i Ramës ndaj Lalës, Tabaku: Aratisje nga llogaridhënia,

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas sulmit të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetares Klodiana Lala, duke e cilësuar këtë sjellje si përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë publike.

Sipas Tabakut, reagimi i kryeministrit, i ardhur disa ditë pas kritikave të gazetares për përmbytjet dhe çështjen e inceneratorëve, nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sjelljeje të përsëritur ndaj medias kritike.

Ajo thekson se bullizimi i gazetarëve për shkak të pyetjeve mbi korrupsionin qeveritar tregon humbjen e qetësisë nga ana e pushtetit, i cili sipas saj nuk ka më përgjigje për çështjet që shqetësojnë opinionin publik.

“Sulmet ndaj gazetarëve nuk janë debat. Janë arratisje nga llogaridhënia.

Kur Kryeministri bullizon gazetarët pse pyesin për korrupsionin qeveritar, problemi nuk janë pyetjet. Problemi është pushteti që ka humbur qetësinë sepse nuk ka përgjigje.

Kjo sjellje nuk është rastësi. Të dhënat ndërkombëtare konfirmojnë se degradimi i lirisë së medias në Shqipëri është sistematik. Sa më shumë ngushtohet laku i drejtësisë rreth qeverisë, aq më agresive bëhet gjuha ndaj medias.

Për këtë arsye, çdo ndryshim i propozuar në Kodin Penal për mbrojtjen e gazetarëve dhe fjalës së lirë është vetëm minimumi. Sepse këto kërkojnë një kulturë politike llogaridhënëse që sot nuk e kemi; një kulturë që pranon debatin e jo arrogancën; një kulturë që respekton mendimin ndryshe dhe nuk e sulmon atë!

Demokracia nuk dobësohet nga pyetjet e vështira. Ajo vdes nga heshtja që imponon pushteti.

Gazetarët janë zëri i publikut. T’i sulmosh ata, do të thotë t’i mbyllësh veshët shoqërisë për të mos dëgjuar të vërtetën”, shkruan Tabaku.

Të fundit