Flash News

Ditari i Opozitës

"Krimi sundon, shteti numëron viktimat", Zhupa për Politiko: Qeveria ka humbur kontrollin mbi territorin

"Krimi sundon, shteti numëron viktimat", Zhupa për Politiko:

Në një intervistë për Politiko.al, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, komenton ngjarjet kriminale të ditëve të fundit në Sarandë dhe arrestimet në Fier, duke ngritur alarmin për kapjen e shtetit nga krimi dhe korrupsioni.

Zhupa thekson se qeveria nuk po funksionon më për qytetarin, por për interesa klienteliste dhe të lidhura me krimin.

Ajo kritikon menaxhimin e sezonit turistik dhe e cilëson qeverisjen aktuale si të personalizuar dhe arrogante.

PJESE NGA INTERVISTA

Politiko: Znj. Zhupa, Saranda është përfshirë nga episode kriminale, përplasje me armë në kulmin e sezonit turistik. Po ashtu, arrestimet në Fier kanë nxjerrë në pah një tjetër skandal në administratë. A mendoni se qeveria ka humbur kontrollin mbi territorin dhe administratën vendore?

Zhupa: Të dyja rastet që përmendni – Saranda dhe Fieri – por edhe dhjetëra të tjera në gjithë vendin, janë simptoma të një pushteti që mendon vetëm për t’u pasuruar dhe që korrupsionin e ka kthyer në metodë pune.

Situata në Sarandë është një dështim i qartë i shtetit për t’i dhënë zgjidhje problemeve përmes drejtësisë – si menaxhimi i plazheve, për shembull – por edhe një dështim për të kontrolluar territorin dhe për të monitoruar kontingjentet kriminale.

Qyteti është kthyer në arenë larjesh hesapesh, pikërisht sepse shteti ka dështuar. Policia nuk mund të jetë vetëm një trup që numëron viktimat dhe të plagosurit pas ngjarjeve, por ka për detyrë të parandalojë dhe të mbrojë qytetarët.

Në Fier kemi një tjetër histori të zakonshme korrupsioni. Diku është 5D, diku inceneratori, diku lejet e ndërtimit, diku parkingjet – por gjithkund shfaqet i njëjti fenomen: babëzia për të vjedhur gjithçka që mundet. Kjo është pasojë e një modeli qeverisjeje që nuk i jep llogari qytetarit, por vetëm klientëve të vet. Pushteti nuk është më i popullit, por i krimit dhe oligarkëve.

Politiko: Cili është mesazhi që jepet kur në qytete turistike, apo në administrata vendore, shfaqen banda dhe korrupsion në këtë shkallë?

Zhupa: Mesazhi është i qartë: kemi një qeveri të personalizuar, një parti-shtet që, me arrogancën e saj, nuk arrin të garantojë më as sigurinë, as funksionimin bazë të shërbimeve publike.

Turizmi këtë vit, përveç pasojave nga ngjarjet kriminale, është dëmtuar rëndë edhe nga vetë qeveria. Edi Rama përdori fadromat dhe policinë kundër bujtinave të prenotuara me turistë brenda, si një akt arbitrar dhe arrogant.

Dëmi nuk ishte vetëm në Theth, por në imazhin e gjithë vendit. Në kulmin e sezonit, pushteti vendor është në kaos: drejtuesit janë shkarkuar në shkelje të Kushtetutës dhe askush nuk mendon se kush do të ofrojë shërbime apo si do të menaxhohet situata.

Në qytete si Saranda, qytetarët janë të frikësuar për jetën e tyre. Lajmet për ngjarje kriminale janë thuajse të përditshme dhe kjo largon pushuesit. Është pasqyra e një qeverie që nuk funksionon, që nuk i shërben qytetarit, por vetëm interesave të veta dhe aleatëve të saj të fshehtë. /INTERVISTOI NETA FERO

 

Të fundit