Flash News

Ditari i Opozitës

Ina Zhupa: Dështimi me mbetjet po dëmton turizmin, Saranda përballet me krizë gjatë sezonit

Ina Zhupa: Dështimi me mbetjet po dëmton turizmin, Saranda

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka ngritur shqetësimin për menaxhimin e mbetjeve në qytetet turistike, duke theksuar se situata në Sarandë mbetet problematike, veçanërisht gjatë sezonit veror.

Në një reagim në rrjetet sociale, ajo akuzon qeverinë për dështim në politikat e trajtimit të mbetjeve, duke paralajmëruar se ndotja po dëmton imazhin dhe konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar.

Statusi i plotë:

Në Sarandë për të diskutuar për menaxhimin e mbetjeve në sezonin turistik.

Qeveria ende s’ka pranuar që dështoi me “incenerimin fantazmë”, që djeg vetëm paratë e shqiptarëve, dhe vazhdon të japë akoma para që nuk dihet ku shkojnë. Ndërkohë, ka rikthyer me ligj modelin e menaxhimit të integruar dhe riciklimit.


Në vitin 2024, Shqipëria gjeneroi 322 kilogramë mbetje urbane për frymë, shumë më poshtë se mesatarja e BE-së, 517 kilogramë. Pavarësisht se vendi ynë prodhon më pak mbetje për frymë se BE-ja dhe rajoni, është në nivele të larta ndotjeje sipas raporteve ndërkombëtare. Kjo tregon qartë dështimin në menaxhimin e mbetjeve.

Llogaritja e mbetjeve për banor varet drejtpërdrejt nga numri i popullsisë rezidente dhe dihet që Shqipëria ka pësuar një tkurrje të popullsisë, veçanërisht të moshave të reja që janë konsumatorët më aktivë. Ndaj edhe kemi një nivel më të ulët se mesatarja e BE-së dhe rajonit.

Sa i përket menaxhimit të mbetjeve në Sarandë, duhet thënë se:
Saranda i dërgon mbetjet në landfillin e Bajkajt në Delvinë, me mjete të amortizuara që ndotin më shumë sesa pastrojnë.
Gjatë sezonit veror, qyteti përballet me një rritje deri në pesëfish të popullsisë, por menaxhimi i mbetjeve mbetet i njëjtë.
Kosha të tejmbushur në mes të ditës, grumbullime spontane mbetjesh në Ksamil dhe në gjithë qarkun, imazhe që bëhen virale dhe dëmtojnë rëndë reputacionin tonë.

Ky përbën një problem serioz për turizmin dhe duhet adresuar me efektivitet në përgatitje për hapjen e sezonit të ri. Turistët zgjedhin destinacione të pastra. Një qytet me mbetje në rrugë krijon menjëherë perceptimin e mungesës së standardeve. Imazhi në rrjetet sociale është vendimtar. Një foto me plehra shpërndahet më shpejt se çdo reklamë pozitive.

Saranda dhe çdo qytet turistik kanë nevojë për: menaxhim të diferencuar të mbetjeve, shtim të ndihmës dhe fondeve nga qeveria gjatë sezonit turistik, investim real në riciklim dhe ndarje në burim, si dhe modernizim të flotës së pastrimit.

Të fundit