Flash News

Ditari i Opozitës

“Iniciativa Demokratike”, fraksion i ri brenda PD në kulmin e ‘luftës’ Berisha –Basha

“Iniciativa Demokratike”, fraksion i ri brenda PD në kulmin e

Ndërsa situata brenda Partisë Demokratike shfaqet më e tensionuar se asnjëherë, që pas përjashtimit të liderit historik Sali Berisha nga grupi parlamentar demokrat, ish-kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli prezantoi të martën forumin e ri brenda PD-së, të quajtur “Iniciativa Demokratike”, iDE.

Lëvizja e re e Kadillit, e cila vepron brenda filozofisë së PD, do të ketë në përbërje zëra të njohur në radhët e demokratëve, si Ivi Kaso, Artan Hoxha, Enno Bozdo dhe të tjerë.

Në prezantimin e lëvizjes, Kadilli tha se iDE është propozimi që ai iu bën demokratëve, në një kohë që situata në PD nuk është e mirë.

"Grindja e brendshme, kriza e rëndë politike, përplasja mes dy kryetarëve po shpenzon energji, po bjerr moralin tonë politik dhe ka nxjerrë jashtë misionit të saj opozitar PD.

Ne besojmë se asnjëra palë nuk jep zgjidhje të qëndrueshme. Nuk janë zgjidhja as për PD dhe as për të ndërtuar opozitë të pastër. Asnjëri nuk bashkon, nuk forcon, nuk na shton, nuk fiton. Nuk jep një fokus të qartë e të vërtetë opozitar. Një alternativë konkurruese. Pikërisht tek krijimi i alternativës qëndron propozimi ynë. Ne kemi marrë përgjegjësitë tona", tha Kadilli.

Lajmi për krijimin e këtij fraksioni vjen në një kohë që PD po përballet prej javësh me përplasje mes kryetarit Lulzim Basha dhe ish-kryetarit Sali Berisha, pas vendimit të përjashtimit të këtij të fundit nga grupi parlamentar, me kërkesë të ambasadës amerikane.

Nga ana tjetër, Berisha, një javë pas vendimit të Bashës, ka nisur turin e takimeve me demokratët  “Foltorja per nje Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur”, dhe nëpërmjet tij Berisha synon që anëtarët e PD të vendosin për fatin e tij në PD.

Berisha ka denoncuar Bashën si të marrë peng nga kryeministri Rama dhe ka shpallur nismën “Foltorja”, që synon të thërrasë një Kuvend të jashtëzakonshëm e më pas, zhvillimin e një referendumi mbi vendimin e Bashës.

Nuk dihet nëse kjo nismë do të konkretizohet me krijimin e një partie të re politike duke krijuar një çarje të PD-së, apo Kadilli pret të jetë në radhët e demokratëve si alternativë e re për marrjen e drejtimit të partisë më të madhe opozitare.

Të fundit