Flash News

Ditari i Opozitës

Jep dorëheqjen drejtuesi politik i PD-së në Shkodër: Asnjë post nuk vlen sot më shumë sesa analiza

Jep dorëheqjen drejtuesi politik i PD-së në Shkodër:

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Shkodër ka dhënë dorëheqjen. Helidon Bushati e ka dhënë vetë lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërsa bën me dije se më parë vendimin ua ka komunikuar drejtuesëve të partisë.

Ai thekson se këtë vendim e ka marrë pas një reflektimi të thellë rreth situatës politike dhe zhvillimeve në PD. Bushatu shkruan se dorëheqja e tij do të krijojë mundësi për energji dhe impulse me synim përbashkimin.

Gjithashtu nënvizon se largimi i tij do të hapë shanse për promovimin e emrave të rinj.  Bushati do të vijojë të ushtrojë detyrën e deputetit.

Ndërsa falenderon qytetarët dhe bashkëpunëtorët, ai thotë se nuk është hera e parë që ndërmerr hapa të tillë në të mirë të PD-së dhe duke lënë mënjanë ambicien personale.

Bushati shton se asnjë post, përgjegjësi e karrierë, nuk vlen sot më shumë se sa analiza dhe pranimi i realitetit.

“Pas një reflektimi të thellë rreth situatës politike dhe zhvillimeve në PD, kam marrë vendimin për t'u tërhequr nga roli i Drejtuesit Politik për Qarkun e Shkodrës. Këtë qendrim, e kam komunikuar me drejtuesit e PD, përpara kësaj shpallje.

PD po kalon momente të vështira por unë jam i bindur se demokratet do të dinë të bashkohen shpejt, e të ringrihen së bashku.

Mendoj se me këtë tërheqje timen, krijohen mundësi për energji dhe impulse që do t'i shërbenin PD me synim përbashkimin. E po ashtu, hapen shanse për promovimin e emrave të rinj.

Asnjë post, përgjegjësi e karrierë, nuk vlen sot më shumë se sa analiza, dhe shikimi në sy e me përulësi i realitetit. Për PD dhe interesat e saj, nuk është hera e parë që unë bëj një hap të tillë, duke lënë në plan të dytë ambicien personale. Bindja ime e palëkundër është se PD dhe demokratët e meritojnë të japësh për ta”, shkruan ndër të tjera Bushati.

Të fundit