Flash News

Ditari i Opozitës

"Ka mbetur si gjyle në këmbët e partisë", Kadilli: PD është më keq se çdo herë, Basha nuk e lëshon monopolin

"Ka mbetur si gjyle në këmbët e partisë", Kadilli:
Fatbardh Kadilli

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli thotë se PD ndodhet në situatën më të keqe që ka kaluar ndonjëherë. Ai rendit humbjet që kjo parti ka marrë në disa vite. Kadilli vë theksin edhe arsyet që ai mendon se e çuan PD-në në humbje në vitin '91, '97, 2013, 2017 dhe tashmë në 2021.

"Humbëm në ‘91. U frustruam. Na “iku petlla” siç thonë. Por, kishim bindje se jemi më të mirët, jemi e ardhmja. Kishim frymë. Ishim qeniet më të lira të kohës.

U rrëzuam në ‘97. Por kishim bindjen se na u bë padrejtësi. Na rrëzuan me fajde dhe me armë ata që kishin shkretuar vendin për 50 vjet. Kishim bindje se ishim naivë, por më të mirët, më të ndershmit. Mbi këtë bazë ndërtuam me mund frymen. U ringritëm.

U rrëzuam edhe në ‘13. Por, kishim bindjen se shqiptarët na vlerësonin se bëmë plot të mira. Mbi këto të mira dhe duke ndrequr gabimet tona do ndaheshim nga zullumi ynë dhe do riktheheshim. Duhej vetëm rinovim i ekipeve dhe një ofertë e re. Mundi shkoi dëm.

Hengrem një grusht tip “knock out” në ‘17. Por, krijuam bindjen se janë gabimet e herës së parë të kryetarit të ri. Vetë kryetari tha se nuk do i bënte me ato gabime. Patëm besim se era do fryjë në drejtimin tonë. Patëm besim te magjia e mandatit të dytë që gëlltit çdo qeveri. U munduam. U radikalizuam. Nuk krijuam frymë. Përkundrazi. Rrëzohemi pa u ngritur", shkruan Kadilli në rrjetet sociale.

Ai shprehet se tashmë po ushqehet bindja se pushteti u ble, bashkqeverisja dhe oportunizmi i atyre që presin të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Kadilli thotë se partia nuk mbahet duke "xhongluar" ambiciet e drejtuesve qëndror dhe lokal, duke vënë theksin te demoralizimi që ka përfshirë PD. Këtu ai merr shembullin e Korçës, ku PD-së i ëshët larguar një numër i lartë i funskionarëve.

Kadilli thotë se PD nuk ka një projekt të ri, ndërsa shton se kryedemokrati Lulzim Basha nuk garanton se nuk do të dështojë më. Ai thekson se Basha nuk ka ndërmend ta lëshojë partinë edhe nëse humb sërish. Gjithashtu shton se Basha nuk i dëgjon demokratët dhe ankesat e tyre.

Teksa vë theksin të nevoja për ndryshim brenda PD-së, ai thotë se ka dhe ish-kryetarë, duke lënë të kuptohet që i drejtohet Sali Berishës, që po mbajnë peng partinë.

"Harrojmë që partia nuk mbahet duke xhongluar ambiciet e disa drejtuesve qendror dhe lokal. Partia ka demoralizimin më të madh në historianë e saj. Kriza e Korçës bie në sy se është më e zëshme. Por nuk eshte e vetme.

Nuk kemi asnjë projekt të ri. Kemi po atë kryetar që dështoi 8 vjet dhe që nuk garanton se nuk dështon më. Që nuk ka në mend të lëshojë monopolin dhe po humbi prapë pas katër vjetësh. Që hesht kur demokratët kanë nevojë të dëgjojnë vendimet e tij, dhe flet kur ka ai nevojë.

Kemi edhe ish kryetar që ka mbetur si gjyle në këmbët e partisë. Jo thjeshtë për raportet me SHBA. Por, sepse nuk jep më asgjë të re dhe vazhdon të gravitojë gjërat rreth vetes. Na mban larg mundësisë që të formulojmë një PD të re, një opozitë të re", thotë më tej Kadilli.

Të fundit