Flash News

Ditari i Opozitës

Kadilli pranon rezultatin, por nuk tërhiqet: Unë nuk jam Luli, kishte pabarazi; tregon nëse e ka uruar Bashën

Kadilli pranon rezultatin, por nuk tërhiqet: Unë nuk jam Luli, kishte
Fatbardh Kadilli

Kandidati për kryetar i PD, Fatbardh Kadilli ka pranuar humbjen dhe vendimin e demokratëve. Në një konferencë për mediat, ai tha se ndryshe nga kryedemokrati Lulzim Basha i pranon rezultatet. Kadilli arriti të marrë 763 vota, duke u renditur kështu i 4-ti.

"Unë nuk jam Luli. Unë e pranoj këtë rezultat. Unë e pranoj vendimin e demokratëve. Kam qenë dhe jam i vetëdijshëm se kam ndërmarrë një sfidë të vështirë, që në kaq pak kohë të ndaloja inercinë e makinerisë së mjeteve dhe inercinë e lidhjeve emocionale të anëtarëve me një projekt të vjetër dhe të shteruar", tha ai nga selia blu.

Ky i fundit tregoi se manifesti i tij politik synon ringritjen e PD. Kadilli deklaroi se nuk do të tërhiqet dhe se do të vazhdojë betejën për reformimin e PD.

"Me këtë Manifest, PD mund të ringrihet dhe të rritet, të bëhet e pastër, ftuese dhe fituese. Unë nuk iki. Nuk dorëzohem. Nuk krijoj parti të re. Unë do të vijoj me këmbëngulje të shpalos para gjithë anëtarësisë këtë Manifest. Këtë projekt ringritje", shtoi Kadilli.

Ky i fundit ngriti akuza se gara i ngjasonte një sfide, duke theksuar se pati pabarazi mjetesh, burimesh njerëzore dhe financiare. Kadilli pretendon se Basha përdori administratën e partisë për të fituar.

Ai nënvizoi edhe denoncimet, ku anëtarë të PD nuk e kishin emrin në listën e votuesëve. Referuar këtyre, Kadilli theksoi se gara nuk kishte standarde.

"Patë pabarazi mjetesh, pabarazi burimesh njerëzore, pabarazi burimesh financiare, dhe sidomos kohë shumë të shkurtër. Patë një kryetar që nuk lëshoi zyrën dhe përdori administratën e partisë. Patë deputetë, dhe kryetarë degësh që nuk mbajtën distancën etike dhe as standardin e kërkuar nga udhëzimet e kryesisë dhe këshillit kombëtar për të mos ndërhyrë në proces.

Patë të zvogëlohej lista e anëtarëve nga 100 në 70 mijë. Patë demokratë, themelues partie, ish-deputetë, drejtues dhe figura publike që nuk gjenin emrin në listë. Patë dhe fenomene të tjera të papranushme. Të gjitha këto nuk na bëjnë nder", deklaroi Kadilli.

I pyetur nëse e ka uruar Bashën për fitoren, Kadilli tha: E kam thënë që në fillim që gara ishte e pabarabartë dhe do urojë një fitues që do të dilte nga një garë e barabartë.

Dje në PD u mbajtën zgjedhjet për kryetarin e ri. Zgjedhjet nxorën fitues kryetarin aktual, ndërsa kandidatët e tjerë ngritën akuza për garë të pabarabartë.

Sipas rezultatit përfundimtar paraprak, pjesëmarrja ka qenë 54.5% e të gjithë anëtarësisë, ose ndryshe kanë votuar 41,100 demokratë. Lulzim Basha ka fituar me 32 882 vota të marra.

Pas tij vjen Agron Shehaj me 6 mijë e 38 vota, i cili nuk arritit të dilte fitues as në Qarkun e Vlorës. Pas Shehajt, renditet Harxhi me 991 vota dhe Kadilli me 763 vota.

Të fundit