Flash News

Ditari i Opozitës

KAS rrëzon kërkesën e PD për ndërperjen e mandatit të kryebashkiakut të Mallakastrës

KAS rrëzon kërkesën e PD për ndërperjen e mandatit

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për ndërprerjen e mandatit për kryebashkiakun e Mallakastër, Qerim Ismailaj.

PD ankimoi dje në KAS vendimin e KQZ-së, e cila vendosi të mos i ndërpesë mandatin, kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, edhe pse nga verifikimet e Prokurorisë ai rezultoi i dënuar me tre vite burg në Greqi.

Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, deklaroi se Ismailaj nuk përfshihet në kushtet e ndalimit të parashikuar, duke shtuar se vlerësimin e veprës ekuivalente në Shqipëri krahasuar me atë të bërë në një shtet të huaj nuk e bën KQZ, por Prokuroria dhe sipas kësaj të fundit, vepra për të cilin ai është dënuar në Greqi, dënohet maksimalisht me gjobë në Shqipëri.

Pas këtij vendimi, Qerim Ismailaj do të vazhdojë të jetë kryetar i Bashkisë së Mallakastrës.

Nga verifikimet e Prokurorisë, Qerim Ismailaj, rezultoi i dënuar në vitin 2000 me 3 vite burg për konflikt në Greqi, por nuk e deklaroi në formularin e dekriminalizimit para kandidimit.

"Referuar vendimit 9-11-2000 të Gjykatës së Përbërë nën Betim të Chios, i formës së prerë, rezulton se i akuzuari Qerim Ismail Ismailaj, (në mungesë në gjykim) është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 3 tre vite burgim për veprën penale të “Konflikti”, “Përleshjes”, parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal të Republikës së Greqisë, që i korrespondon veprës penale të “dëmtime të tjera me dashje”, parashikuar nga neni 90/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, e cila si sanksion parashikon dënim vetëm me gjobë." sqaronte Prokuroria.

Të fundit