Flash News

Ditari i Opozitës

Kedhi: Duhet të mobilizojmë të gjitha burimet në betejën me narkoshtetin

Kedhi: Duhet të mobilizojmë të gjitha burimet në

Nikola Kedhi anëtar i Departamentit Brain Gain tha se Partia Demokratike është në fazën e fundit të betejës me atë që e quajti "regjim" dhe "narkoshtet".

Në këtë kontekst, ai deklaroi se rezistenca dhe denoncimi nuk mjaftojnë më. "Nuk mjafton vetëm rezistencë, duhet përgatitje.

Nuk mjafton vetëm denoncimi, duhet ndërtim," u shpreh ai, duke nënvizuar nevojën për të menduar jo vetëm për mobilizimin e kapaciteteve në betejën aktuale me narkoqeverinë , por edhe për ndërtimin e qeverisjes së të nesërmes.

Fjala e Nikola Kedhit

Unë para se të nis fjalën time, dua të të çoj vëmendjen drejt qytetit të Vlorës. Vlora ka pesë ditë pa ujë dhe ditën e djeshme, ndërkohë që qytetarë të ndryshëm, jo vetëm nga Partia Demokratike, po nga forca të ndryshme, qytetarë pa parti, u mblodhën në teatrin Petro Marko përpara për të protestuar, pushtetarët lokalë kishin organizuar një mbrëmje gala. Tani, ne kemi parë se qytetarët shqiptarë kanë treguar se durojnë shumë, kanë duruar shumë në këto 10, 12 vite. Ajo që ata nuk durojnë, unë jam i bindur, është arroganca e pushtetit, është tallja, është përqeshja me ta.

Dhe qytetarët e Vlorës dje dhanë një shembull, dhanë një shembull që unë shpresoj të përhapet dhe në qytetet e tjera, se me qytetarët shqiptarë nuk mund të tallesh. 

Sot vazhdon protesta e banorëve të Vlorës për çështjen e ujit dhe unë shpresoj që të vazhdojë dhe qytetarët shqiptarë të vazhdojnë të ngrenë zërin për të gjithë padrejtësitë që u bëhet vazhdimisht në këtë dekadën e fundit.

Ka momente në historinë e një force politike kur ajo duhet të ndalë për një çast, të të shohë qartë se ku ndodhet dhe të vendosë me maturi se ku po shkon.

 Unë mendoj se Partia Demokratike ndodhet pikërisht në një nga këto momente.

Rëndësia e Departamentit Brain Gain qëndron në një fakt shumë të thjeshtë, por tejet thelbësor. Sot kemi pranë nesh një grup njerëzish nga e gjithë bota, me ekspertizë, profesionalizëm, përvojë, të cilët i u gjendën Partisë Demokratike në momentin e saj më të vështirë dhe ata janë ende këtu. Jo nga rrethanat, por nga bindja. Dhe kjo flet shumë për seriozitetin e këtij angazhimi.

Unë mendoj se Partia Demokratike është në fazën e saj të fundit përballë këtij regjimi dhe kësaj qeverie. Kjo do të thotë se nuk mjafton vetëm rezistencë, duhet përgatitje. Nuk mjafton vetëm denoncimi, duhet ndërtim. Dhe mbi të gjitha duhet të mendojmë jo vetëm se si të mobilizojmë të gjithë kapacitetet dhe burimet që ne kemi në betejë me narkoshtetin, por dhe se si të ndërtojmë qeverisjen e të nesërmes.

Për këtë arsye ne kemi menduar që Departamenti Brain Gain në këtë kapitull të ri, një nga shtyllat kryesore të tij të ketë bashkëpunimin dhe sinergjinë shumë më të madhe me grupin parlamentar, me kryesinë, me strukturat e Partisë Demokratike, që natyrisht do diskutuar, menduar dhe rënë dakord së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Berisha, kryetarin e grupit parlamentar, zotin Bardhi dhe të gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike, në mënyrë që burimet që kemi të kanalizohen më mirë, që koordinimi të jetë maksimal, që secili të ketë hapësirën e vet, rolin e vet dhe më e rëndësishmja, përgjegjësinë e vet, dhe që asnjë mund të mos shkojë më dëm. PD-ja në qendër, në degë, gjithandej ka nevojë të padiskutueshme për të rinj, për profesionistë, sidomos për një kontribut të sinqertë, për burime njerëzore, për frymë, për ide, për një mënyrë ndryshe të të bërit të gjërave.

Në betejën parlamentare, unë jam i bindur se ka vend për propozime, për sugjerime në fusha të ndryshme. Partia Demokratike i ka dhënë këtij vendi qeverisjen më të mirë në historinë e Shqipërisë. Kjo është një trashëgimi politike dhe morale që duhet mbrojtur, jo për nostalgji, por sepse ajo trashëgimi dëshmon se qeveria mund të qeveri- se Shqipëria mund të qeveriset ndryshe. Me liri, me vizion, me përgjegjësi. Më vjen mirë që ruajtja dhe zhvillimi i kësaj trashëgimie është një nga objektivat e Departamentit Brain Gain edhe në këtë kapitull të ri që ai hap. Por trashëgimia nëse nuk përtërihet, venitet. Prandaj ne duhet të sigurohemi sot që e djathta shqiptare të ketë një ekip, një elitë të qëndrueshme, solide dhe cilësore të të djathtës, jo vetëm për betejën që ne jemi duke zhvilluar sot, por për dekadat që vijnë. Unë ia kam thënë doktorit dhe e them sërish me bindje të plotë, jo vetëm si kryetar i Partisë Demokratike, por si lider historik i të djathtës shqiptare.

Unë kam bindjen absolute që ai do ta drejtojë këtë proces në të gjitha fazat e tij, me autoritetin e padiskutuar që ai ka, duke mundësuar hapësira reale për gjithsecilin dhe mundësi për të gjithë ata që duan të kontribuojnë. Sepse një parti nuk është e fortë vetëm sepse të gjithë mendojnë njësoj. Përkundrazi, është një parti e fortë ajo që di të bashkojë energjitë e ndryshme në një drejtim të përbashkët. Sot për të shpëtuar Shqipërinë dhe nesër për t'i dhënë Shqipërisë qeverinë që ajo meriton, me vizion, me aftësi dhe me patriotizëm. Ndaj Brain Gain nuk është një ide e së ardhmes. Unë jam i bindur që është një domosdoshmëri e së tashmes për të fituar sot dhe për të qeverisur nesër.

Të fundit