Flash News

Ditari i Opozitës

Këlliçi kritika për standard të dyfishtë në seancë: Pse nuk reaguat kur iu sulmua familja kolegut?

Këlliçi kritika për standard të dyfishtë në

Seanca e sotme parlamentare është përfshirë nga tensione dhe akuza për standarde të dyfishta në lidhje me zbatimin e kodit të etikës.

Debati u ndez pasi kryetarja e seancës, e cila iu tërhoqi vëmendjen deputetëve të opozitës për gjuhën e përdorur, duke kërkuar që të ishte hera e fundit që përdoren "etiketime" që janë jashtë kodit të etikës dhe në shkelje të rregullores.

Pas kësaj ndërhyrjeje, fjalën e mori deputeti demokrat Belind Këlliçi, i cili akuzoi drejtuesen e seancës për zbatim të një standardi të dyfishtë.

Ai i kujtoi asaj një mbledhje të Byrosë së Kuvendit të mbajtur vetëm dy ditë më parë, ku përfaqësuesit e mazhorancës kishin shprehur shqetësimin për përmendjen e familjarëve në debatin politik.

"Tani ju vetë sapo ishit dëshmitare e një rasti të ngjashëm që u sulmua zoti Balliu. Ju përmendën kushërinj, të afërmit e tij, familja, i ati e të gjitha me radhë, dhe nuk patët një reagim të vetëm," deklaroi Këlliçi, duke iu drejtuar kryetares së seancës.

Sipas tij, ky qëndrim selektiv është i përhershëm.

"Përherë keni të njëjtin qëndrim. Kur ne kundërpërgjigjemi, kur ne replikojmë, fajin e ka opozita dhe e ka PD-ja," shtoi ai. Deputeti Këlliçi theksoi se opozita kishte rënë dakord me kërkesën e mazhorancës për të mos përfshirë familjarët në debate, por sipas tij, ishte pala tjetër ajo që nuk po e respektonte këtë marrëveshje. Duke iu referuar rastit konkret të deputetit Balliu, ai pyeti retorikisht: "Çfarë prisni ju të bëjë zoti Balliu në këtë rast, kur i përmendet i ati, hallat, tezet, familja, që nuk kanë të bëjnë fare me rendin e ditës? Dhe pastaj i tërhiqni vëmendjen zotit Balliu. Si mundet ai të mos reagojë?".

Kjo ndërhyrje solli sërish debate në sallën e Kuvendit, duke vënë në pah edhe një herë vështirësinë për të ruajtur një nivel etik në përplasjet politike mes palëve.

Të fundit