Flash News

Ditari i Opozitës

Këlliçi 'shigjeton' Ministren e Brendshme pas atentatit në Rinas: Gjendja e mohimit dhe siguria në kolaps!

Këlliçi 'shigjeton' Ministren e Brendshme pas atentatit

Pas atentatit të rëndë në Rinas, ku një nga viktimat është punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën varësinë e Ministrisë së Brendshme, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka kritikuar ne një postim në rrjetet sociale ministren e Brendshme Albana Koçiu.

Sipas Këlliçit, deklarimet e ministres gjatë raportimit në Komisionin e Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes treguan një gjendje mohimi të situatës kriminale.

Ai thekson se ministrja përqendroi fjalimin mbi monopatinat dhe rrezikshmërinë e tyre, duke injoruar krizën reale të sigurisë që përfaqësohet nga atentati në aeroportin e vendit.

Postimi:

Gjendja e mohimit dhe siguria në kolaps! 

Nuk kanë kaluar as 8 orë nga raportimi i Ministres së Brendshme, Albana Koçiu, në Komisionin e Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes në Kuvend.
Në deklarimet e saj, ministrja demonstroi se ndodhej institucionalisht në gjëndjen e mohimit të situatës së rënduar kriminale në vend.
Ajo tha se “policia nuk rri dot në kuzhinë për të parandaluar që djali të godasë me thikë babanë, apo brenda në kuzhinën e restorantit për të parandaluar picerin të godasë më thikë kuzhinierin”.

Më tej, ministrja u zgjat mbi një orë duke folur mbi monopatinat dhe rrezikshmërinë e tyre.
Në një paradoks makabër, në të njëjtën ditë pak orë më pas ndodhi ngjarja e rëndë e Rinasit e cila jo vetëm ka tronditur opinionin publik, por ka ngritur edhe pikëpyetje serioze sa i takon sigurisë kombëtare në aeroportin e vendit, si dhe integritetit të strukturës policore, duke marrë parasysh se një ndër viktimat e atentatit është punonjës i AMP-së, nën varësinë e Ministres së Brendshme! 

Në kontekstin e një ndjenje të thellë pasigurie tek qytetarët, kriminalizimi të policisë në çdo nivel, infiltrimi të strukturave kriminale në kupolën e institucioneve ligjzbatuese, nuk është gjëndja e mohimit zgjidhja për problemet e rënda të sigurisë dhe as loja me figurinat, duke ndërruar shpesh fytyrën e Ministrit të Brendshëm por jo substancën, mënyrën e të konceptuarit të punës.

Një ministri që ndjek parimin e tmerrshëm kryeministror “të hanë kokat e njëri tjetrit”, nuk i ofron dot kurrë shqiptarëve sigurinë që meritojnë.
Ministrja e Brendshme duhej të kishte dhënë tashmë dorëheqjen. Çdo orë e saj në detyrë, është një rrezik më shumë për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Të fundit