Flash News

Ditari i Opozitës

Kongresi i CDU, Alizoti: Ata që thonë se PD ishte e izoluar, ja ku jemi... Jemi në rrugë të mirë dhe pranë pushtetit

Kongresi i CDU, Alizoti: Ata që thonë se PD ishte e izoluar, ja ku

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti foli mbi pjesëmarrjen e delegacionit të PD-së në kongresin e CDU-së në Gjermani, i kryesuar nga kreu i PD-së, Sali Berisha.

Gjatë një interviste në Syri Tv, Alizoti ka vlerësuar kongresin si një mundësi për forcimin e marrëdhënieve me CDU-në dhe për rikonfirmimin e PD-së si pjesë e familjes së djathtë europiane.

Alizoti ka theksuar se ky bashkëpunim shërben si një sinjal pozitiv për Partinë Demokratike, pas një periudhe të vështirë. Ai është shprehur se ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e opozitës shqiptare dhe rikthimin e saj në pushtet.

Alizoti: Eshtë shumë e rëndësishme për Gjermaninë fitorja e CDU-së, është shumë e rëndësishme për Europën fitorja e së djathtës në një vend si Gjermania. Po ashtu, është shumë e rëndësishme edhe për ne si PD, që kemi kaluar një kohë shumë të vështirë, pra një luftë për të mos ekzistuar, një luftë me terma, me analistë, me njerëz, me mendimtarë atje në vendin tonë, të cilët thonë që PD nuk ekziston, kryetari i saj nuk del.

Pra, ne, bashkë me kryetarin e PD-së, ishim në rreshtin e dytë të ulur në kongresin e CDU-së. Përpara kishim De Maizière, ish-ministrin e mbrojtjes, dhe mbrapa kishim presidentin e Ukrainës. Respekti dhe vlerësimi ndaj PD-së, ndaj Berishës, ndaj nesh ishte goxha i madh dhe takimi ndërmjet doktorit dhe Merz ishte shumë i përzemërt.

Takuam Lindemann, Abraham, Jürgen Hartz e shumë të tjerë dhe them se PD ka nisur një rrugë të mirë. Ata që thonë se PD ishte e izoluar, ja ku jemi, në mes të kongresit të CDU-së, dhe mendoj se është një lajm i mirë, një zanafillë e mirë për të djathtën në Shqipëri, që ne jemi pranë pushtetit.

E di që në Shqipëri do të ketë komente dhe është e drejta e secilit të bëjë komente, por fakti është që doktori, kryetari i PD-së, ishte në rreshtin e parë të CDU-së, të partisë më të rëndësishme europiane dhe të vendit më të rëndësishëm në Europë, siç është Gjermania. Ky është një fakt, të tjerat pastaj pak rëndësi kanë.

Motivi i kongresit ishte konservatorizmi, e djathta, tregu i lirë, ulja e taksave, program i të djathtës tipike gjermane.

Aty tek ne ndërtohen ndonjëherë keqkuptime edhe në mënyrë emocionale, edhe dashakeqëse, e të gjitha bashkë.

Mund t’ju them vetëm disa elementë: Jürgen Hartz është shumë i rëndësishëm në politikën e jashtme gjermane, erdhi enkas për të takuar doktorin me shumë dashamirësi. Një pjesë e njohin nga koha si një figurë politike. Përshypje më bëri edhe takimi i Merz, i cili ishte shumë i përzemërt me doktorin, shumë natyral. Ç’të them pra, doktori është një figurë politike që e njohin prej 30 vitesh, që dikur ka takuar pjesë të CDU-së të rëndësishme.

PD sot është në natyralitetin e saj të djathtë dhe ky është një lajm i mirë për ne. Unë tani besoj që ne duhet të fokusohemi tek e ardhmja.

Nesër doktori vjen për Shqipëri, ne nisemi për Amerikë. Besoj se takimet i kemi pasur super të mira, derisa kemi takuar kandidatin për kancelar. Takimet e tjera janë të rëndësishme, por jo aq sa ky që kishim sot. Sot mendoj që qëllimi u realizua në mënyrë brilante.

Të fundit