Flash News

Ditari i Opozitës

Kriza energjitike, Berisha: Fasha godet shtresën e mesme, Rama përfitoi 400 mln dhe iu dha qytetarëve 15 mln euro

Kriza energjitike, Berisha: Fasha godet shtresën e mesme, Rama

Kryedemokrati Sali Berisha ka folur për krizën energjitike që ka përfshirë vendin dhe masat e marra nga qeveria në një konferencë me gazetarët nga Postriba, Shkdoër. Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama “braktisi” qytetarët.

Për kryedemokratin, paketa prej 15 milionë euro është e pamjaftueshme. Ai thekson se shteti ka përfituar shumë më shumë milionë nga rritja e çmimeve që sipas Berishës, duhet të shkojnë te xhepat e qytetarëve.

“Vetëm dje, Edi Rama dhe qeveria e tij tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe të pamëshirë ndaj shqiptarëve. Ai paraqiti një paketë ndihmëse prej 15 milionë eurosh, ndërkohë që ka fituar 400 milionë euro nga rritja e çmimeve. Ai vendos më shumë për luksin e tij, vendos më shumë, shumë më tepër, për klientelën e tij. Jo vetëm kaq, por dje ai njoftoi rritjen e çmimeve të energjisë për ata që konsumojnë mbi 800 kilovat”, tha Berisha.

Lidhur me fashën se kush do të konsumojë më shumë se 800 kilovat, do të paguajë më shumë, Berisha u shpreh se kjo do të “godasë” shtresën e mesme të popullsisë.

“Tani unë u jap një shifër ju, se këta gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë. Regjistrimi i vitit 2011, tregonte se 340 mijë familje shqiptare kishin më shumë se një banesë. Tani kjo përqindje është më e lartë. Tani ky do i gjobisë në mënyrë cinike, të pashpirt.

Po kush goditet me këtë? Goditet shtresa e mesme, goditen mjekët, inxhinierët, biznesi i vogël. Këta nuk e përballojnë dot më jetën. Këta detyrohen të largohen. Dhe mbetet Rama dhe oligarkët e tij dhe njerëzit që ai i varfëron.

Njoftoi dje se rritet me 42 lek kilovati për ata që shpenzojnë mbi 800 kilovatë. Do të thotë se rritet 4.4 herë. Ne nuk kemi të drejtë të bëjmë krahasime me Zvicrën, Gjermaninë dhe Francën.

Por a kemi të drejtë të bëjmë krahasime me Kosovën, me Maqedoninë? 8 vite më parë e kishim rrogën mesatare mbi 20 përqind më të lartë se Kosova dhe Maqedonia”, tha Berisha.

 

 

 

 

Të fundit