Flash News

Ditari i Opozitës

Kryeredaktori i RD: Basha ndryshoi ‘bravat’ e gazetës, gazetarët nuk kishin akses në web

Kryeredaktori i RD: Basha ndryshoi ‘bravat’ e gazetës,

31 vjetori i themelimit dhe lindjes së gazetës Rilindja Demokratike, e gjeti partinë e ndarë në dy kampe. Nga njëra anë ish-kryeministri Berisha me mbështetësit e tij, dhe nga ana tjetër Lulzim Basha me deputetët e rreshtuar në krah.

Kryeredaktori i Rilindjes Demokratike, Bledi Kasmi i ftuara në studion e Top Talk, është shprehur se PD-ja ka ndryshuar në mënyrë të beftë kodet e gazetës online duke hequr aksesin e gazetarëve për të postuar në ueb.

“Ka pasur përpjekje të befasishme nga strukturat e Partisë Demokratike, ose më saktë, nga ajo që ka ngelur nga Partia Demokratike. Në një moment të caktuar, ndryshohen bravat elektronike të gazetës, hyrjet e ëeb-it, të gazetës ‘online’. Nuk kishim akses, jo vetëm unë si kryeredaktor, por i gjithë grupi i gazetarëve. Pritëm për një komunikim zyrtar nga strukturat e partisë, çfarë po ndodhte? Gjëja më normale ishte të thirrej kryeredaktori, të thuhej ka një problem, ose të shkarkohej. Por, pas asnjë komunikim?! Pa asnjë lloj shkaku, ti shkon dhe i mbyll?”, tha Kasmi.

Ndër të tjera, Kasmi tha se pavarësisht agravimit të situatës dhe deklaratave të bëra nga të dyja palët kundrejt njëri-tjetrit, Rilindja Demokratike i ka pasqyruar situatat duke mënjanuar qëndrimet personale të të dyve.

“Unë si kryeredaktor, gjatë gjithë kohës që ka pasur një debat apo debate të tjera, i kemi pasqyruar. Kemi bërë pasqyrim të të dyja palëve. Kemi qenë të ekuilibruar. Nuk kemi mbajtur anën e njërit apo tjetrit. Deri në një moment, nuk kemi pasur ndërhyrje. Dhe për këtë gjë kam pasur respekt për të gjithë aktorët politikë të Partisë Demokratike. Zgjodhëm të mbajmë një qëndrim të ekuilibruar, duke mënjanuar dhe shprehjet ekstreme të palëve. Donim të mundësonim të krijohej një urë komunikimi mes aktorëve në këtë situatë. Mund të kishte një mënyrë komunikimi më tolerante dhe më të civilizuar ndaj palëve. Mund ta kishte inat personal me mua, se në ‘Facebook-un’ tim, mbaj qëndrimin personal, por kështu…”, deklaroi Kasmi.

Të fundit