Flash News

Ditari i Opozitës

Kulla tek Pallati i Kongreseve, PL: Akt i rëndë në skenarin e zhdukjes së pasurisë publike, historisë dhe kujtesës kolektive të Tiranës

Kulla tek Pallati i Kongreseve, PL: Akt i rëndë në skenarin e

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja ka bërë një deklaratë për mediat, ku ka kundërshtuar vendimin e djeshëm të Këshillit Bashkiak të Tiranës, në lidhje me kalimin e pronësisë së Pallatit të Kongreseve nga Bashkia Tiranë në varësi të Ministrisë së Ekonomisë.

Merja shprehet se ky është një akt tjetër i rëndë në skenarin e zhdukjes sistematike të pasurisë publike, historisë dhe kujtesës kolektive.

Deklarata:

Të nderuar qytetarë!

Ajo që ndodhi dje në Këshillin Bashkiak të Tiranës është një akt tjetër i rëndë në skenarin e zhdukjes sistematike të pasurisë publike, historisë dhe kujtesës kolektive të qytetit tonë. Kalimi i pronësisë së Pallatit të Kongreseve nga Bashkia Tiranë në varësi të Ministrisë së Ekonomisë nuk është një vendim i pafajshëm burokratik. Është preludi i një skenari të njohur: shkatërrim, beton dhe koncesion për oligarkinë.

Nën petkun e “ristrukturimit” dhe “zhvillimit ekonomik”, qëndron e njëjta logjikë që rrëzoi Teatrin Kombëtar, duke e shkatërruar në mes të natës me makina të blinduara, nën dhunën e policisë dhe heshtjen e pushtetit lokal. Sot, e njëjta gjë po ndodh me Pallatin e Kongreseve. Edhe ai do të zhduket, për t’ia lënë vendin një projekti luksoz, me interes vetëm për një grusht të pasurish që qarkullojnë gjithmonë rreth të njëjtit rreth politik dhe financiar.

Ky pallat nuk është thjesht një ndërtesë. Është simbol i kulturës dhe historisë, një hapësirë publike që i ka shërbyer brezave me aktivitete, ngjarje, koncerte dhe simpoziume që kanë lënë gjurmë në kujtesën kombëtare. Nga Kongreset e para të rëndësishme të tranzicionit, te festivalet e muzikës dhe eventet kulturore, Pallati i Kongreseve ka qenë tempulli i jetës publike shqiptare për dekada.

Sot, ky simbol po i dorëzohet ministrisë që ka në fokus zhvatjen e pasurisë publike nën pretekstin e investimeve private. Dhe kjo nuk do të ndalet këtu. Sinjalet janë të qarta: pas Pallatit të Kongreseve, në radhë është edhe Televizioni Shqiptar (TVSH), një tjetër institucion i rëndësishëm i identitetit tonë kombëtar. Duket qartë se nuk ka më kufi  as në lakmi, as në mosrespekt për trashëgiminë tonë.

Kjo nuk është më çështje politike, por një çështje morale dhe qytetare. Sa herë do të heshtim? Sa herë do të shohim të na shembin historinë para syve dhe të ndërtojnë mbi të kulla që nuk na përkasin?

Ne nuk mund të lejojmë që Tirana të humbasë gjithçka që e bënte qytet me identitet.

Ne nuk mund të heshtim teksa Shqipëria zhbëhet një copë nga një copë, për t’u kthyer në një monopol privat.

Nëse nuk e ndalim tani këtë zhbërje, nesër nuk do të kemi më as kujtesë, as histori, as qytet. Vetëm beton, koncesione dhe heshtje.

 Mjaft më! Tiranës nuk i duhet më një tjetër kullë. Tiranës i duhet dinjitet, trashëgimi dhe kujtesë.

Faleminderit!

 

Të fundit