Flash News

Ditari i Opozitës

Kulluri: PD do dalë më e dobët nga zgjedhjet e brendshme, Gjana s'ka marrë ende përgjegjësi për vjedhjen e 2017-tës

Kulluri: PD do dalë më e dobët nga zgjedhjet e brendshme, Gjana

Anëtari i grupimit "Për PD-në", Edvin Kulluri deklaron se Partia Demokratike do të dalë më e dobët nga zgjedhjet e brendshme, duke i cilësuar si një maskaradë elektorale, por shtoi më tej se kandidatja Edith Harxhi do t'i shkojë zgjedhjeve deri në fund.

Ai ka akuzuar edhe kreun e Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjanën se ende nuk ka marrë përgjegjësi për vjedhjen e zgjedhjeve në vitin 2017. Kulluri ka denoncuar dhe një rast ku sipas tij, kandidatja Edith Harxhi ka gjetur derën e mbyllur në degën e PD-së Maliq, duke e cilësuar këtë si turp.

"Vëzhguesit tanë janë të angazhuar për të parandaluar çdo parregullsi të procesit. Parimi i zgjedhjeve të lira që Basha bërtet çdo ditë, së pari duhet ta kishte zbatuar brenda partisë.  Partia do të dalë më e dobët nga një maskaradë elektorale por kjo nuk na pengon neve për tu thënë demokratëve që do vazhdojmë deri në fund. Tregojmë karakter dhe përgjegjësi duke i dalë përballë një njeriu që nuk mban asnjë përgjegjësi për humbjet.  Z. Gjana ende nuk ka mbajtur përgjegjësi për vjedhjen e zgjedhjeve në vitin 2017. Kam unë video që disa anëtarë kanë votuar të paktën 4 herë për z. Basha.  Në degën e Maliqit një herë për shembull ka shkuar kandidatja Harxhi dhe e ka gjetur derën mbyllur. Këto janë turpe që tregojnë se çfarë e pret PD-në me Lulzim Bashën në 4 vitet e ardhshme", tha Kulluri në Report tv.

Kujtojmë se zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike zhvillohen këtë të dielë dhe në garë janë: Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.

Të fundit