Flash News

Ditari i Opozitës

Kundër Bashës, deputeti demokrat: PD nuk mund të rrijë peng i disa personave

Kundër Bashës, deputeti demokrat: PD nuk mund të rrijë peng

Deputeti demokrat Ramadan Likaj ka bërë të qartë qëndrimin e tij lidhur me situatën në PD.

Në një intervistë për Panorama TV, Likaj tha se nuk dëshiron të bëhet pjesë e farsës së PD-së së vulës për zgjedhjen e kryetarit të ri që u caktua më 29 korrik, teksa nënvizoi se duhet të krijohen ura bashkëpunimi.

Lika u shpreh se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të udhëhequr nga Rithemelimi do të ketë një dinamikë, që shpreson të arrihet në bashkim. Deputeti u shpreh se PD nuk mund të rrijë peng i disa personave, për interesat e të cilëve demokratët kanë vuajtur.

Likaj: Unë e kam bërë të qartë qëndrimin tim, nuk do të bëhem pjesë e një farse të tillë. Nëse ndodh, do të dal si deputet i pavarur. Besoj që gjatë zgjedhjeve lokale, kam qenë në krye të fushatës. Të gjithë demokratët kanë qenë bashkë dhe kam udhëhequr fushatën për 30 ditë. Duhet të krijojmë ura bashkëpunimi dhe të punojmë fortë për të ardhmen. Edhe Berisha duhet ta lexojë mirë këtë situatë. Besoj se java tjetër do të ketë zhvillime të reja.

Besoj se në zonën tonë elektorale, pjesa më e madhe e demokratëve ishin të bashkuar. Ishin shumë faktorë që ndikuan në këto zgjedhje. Kandidatët e primareve ne i konsideruam si kandidatë të PD-së. Kam bërë gjithçka që të bashkohen demokratët dhe të arrihet në një fitore. Ndërhyrjet e pushtetit me të gjitha mjetet bënë që ne të mos fitonim.

Por edhe sigla, demokratët nuk pranojnë të regjistrohen në një sigël tjetër. Jam i vetëdijshëm se ku kanë qenë problemet ku ne kemi çaluar në këtë fushatë. Unë besoj që java tjetër do të ketë reagime të tjerë. Nesër në mbledhjen e Grupit Parlamentar të pjesës së rithemelimit, do të ketë një tjetër dinamikë. Besoj se do të arrihet në bashkimin e grupit. Ne kemi përcaktuar 5 pika, mes të cilave bashkimi i grupit parlamentar dhe i PD. PD nuk mund të rrijë peng i disa personave, pasi demokratët kanë vuajtur për interesat e disa personave. Situata kam bindjen e plotë se do të ndryshojë. 

Të fundit