Flash News

Ditari i Opozitës

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PD për shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PD për shfuqizimin e ligjit

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar këtë të enjte kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura.

Opozita shprehej se ligji binte ndesh me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe kërkonin shfuqizimin e tij por gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesës së 37 deputetëve demokratë. 

Ligji për zonat e mbrojtura u dërgua në Kushtetuese nga ligjvënësit demokratë më 1 nëntor të vitit të kaluar, teksa ligji është miratuar më 22 Shkurt të 2024 në mënyrë të njëanshme vetëm me 74 kartonat jeshil të mazhorancës.

Deputetët e opozitës ngritën shqetësime se e gjitha po bëhet me qëllime përfitimi në kurriz të zonave të mbrojtura që rrezikojnë betonizimin.

Shqetësimet lidheshin kryesisht me zvogëlimin e sipërfaqeve të parqeve kombëtare të Butrintit, Divjakës, Dajtit, Qaftshtamës, Zall Gjoçaj, Shebenikut, si edhe rrezikimin e parqeve natyrore të Korab Koritnik, Bredhi i Kardhiqit, Karaburun, Kune-Vain Tale, Patok-Fushëkuqe, Ishim, dhe Liqeni i Shkodrës.

Heqja e statusit të zonës së mbrojtur apo zvogëlimi i sipërfaqes së tyre mund t’i hapte terren investimeve të mundshme apo abuzimeve të natyrave të tjera në këto zona.

Por, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar shumicën e pretendimeve për mungesë argumentimi kushtetues ose për shkak se gjyqtarët nuk arritën shumicën e nevojshme prej pesë votash.

Sa i përket raportit financiar të projektligjit dhe konsultimit publik, gjykata vlerësoi se ligji nuk ka sjellë efekte konkrete që do të kërkonin përllogaritje të detajuar shpenzimesh, ndërsa konsultimi publik i zhvilluar nga Kuvendi u cilësua në përputhje me Kushtetutën.

Gjithashtu, gjyqtarët e Kushtetueses theksojnë se ligji është një ligj kuadër, pa pasoja të drejtpërdrejta, ndaj nuk cenon detyrimet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit.  Vendimi përfundimtar i arsyetuar pritet të shpallet brenda afateve ligjore.

Të fundit