Flash News

Ditari i Opozitës

Malltezi: Thirrja e Ramës në gjyq, urdhër politik i tij

Malltezi: Thirrja e Ramës në gjyq, urdhër politik i tij

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka pranuar kërkesën për të thirrur Kryeministrin Edi Rama si dëshmitar në procesin gjyqësor për dosjen e ish-kompleksit “Partizani”, ku të pandehur janë kryedemokrati Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Kërkesa u paraqit nga avokatët mbrojtës, të cilët argumentojnë se Rama, gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Tiranës, ka firmosur vendimin për ndryshimin e destinacionit të truallit nga terren sportiv në truall për ndërtim.

Në një reagim në News 24, Jamarbër Malltezi e cilësoi të gjithë procesin një hakmarrje politike, duke pretenduar se hetimi është nisur me urdhër të drejtpërdrejtë nga Kryeministri Rama.

“Ky është një proces politik i nisur me urdhër të Edi Ramës në kongresin e PS në vitin 2022, ku ai i kërkoi SPAK-ut të nisë procedim penal ndaj Sali Berishës”, deklaroi Malltezi. Sipas tij, kjo qasje i përket “së drejtës lindore, jo perëndimore”, ku nuk hetohet një çështje për të gjetur autorin, por urdhërohet hetimi ndaj një personi specifik.

Malltezi hodhi poshtë akuzat se Berisha ka miratuar ligje nominative për favorizim, duke drejtuar kundërakuza ndaj qeverisë aktuale.

Përkundrazi, kemi 4 VKM nominative për Carlo Bollinon dhe 2 VKM nominative për vëllain e Kryeministrit, që ai të vjedhë klubin, stemën dhe historikun e Partizanit, si dhe prona të familjes Deliu”, shtoi ai.

Duke shpjeguar arsyen e thirrjes së Ramës si dëshmitar, Malltezi theksoi se ai është “strumbullari i kësaj çështjeje”.

“E kemi kërkuar Ramën sepse është urdhri i tij që u thotë prokurorëve: hetoni në 3 breza, qysh te mbesat e palindura të Sali Berishës. Është politike”, përfundoi ai.

Të fundit