Flash News

Ditari i Opozitës

Maskat me detyrim, Vasili: Alibi për të fshehur dështimin e qeverisë, pandemia kërkon profesionalizëm jo show profanësh

Maskat me detyrim, Vasili: Alibi për të fshehur dështimin e

Lëvizja Socialiste për Integrim e ka cilësuar vendimin e ri të qeverisë për mbajtjen e maskave me detyrim kudo veç shtëpisë si një dështim të plotë të menaxhimit të pandemisë në vend.

Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili tha se ky vendim për maskat është vetëm alibi për të fshehur dështimin e qeverisë.

"Sot në vend që ti ofronte mijëra testime më shumë shqiptarëve, u ofroi maska, në vend që tu ofronte barna në banesë dhe një paketë mbështetjeje, për qindra qytetarë që trajtohen në banesë dhe paguajnë miliona u ofroi maska, në vend që të ofronte shërbime spitalore gjithmonë e më dinjitoze, gjithmonë e më të pajisura, pa mungesa, pa i detyruar që të shkojnë të çojnë dhe ushqimin në spitale, u ofroi maska, ofroi përsëri të njëjtën idiotësi, mediokritet dhe paaftësi, duke folur për gjoba, duke u kujdesur dhe se ku do paguhet gjoba dhe si do të merret gjoba.

Pra ky sikur është gjobaxhi në politikë, është gjobaxhi dhe në shëndet. Sot praktikisht janë disa pyetje shumë të rënda që kanë lidhje me pandeminë dhe nuk mund të shmangen më dot. Pse nuk testojnë më shumë, vazhdojnë testojnë disa qindra raste në ditë duke mos demonstruar e duke mos reflektuar kurrë të vërtetën e madhe se cila është, një e vërtetë që u hyn në punë shqiptarëve.

I hyn në punë administrimit të pandemisë, i hyn në punë ekonomisë shqiptare që të mos rrënohet. Po si mundet ky që të flasë për maska kur ka deklaruar, po e citoj ndonëse unë e di nivelin e paturpësisë të këtij kryeministri që bën hasha dhe mohon çdo gjë, ka thënë: “E kemi përsëritur vazhdimisht për ata që nuk janë të sëmurë që nuk janë duke trajtuar një të sëmurë apo nuk punojnë në një mjedis me shumë njerëz, maskat janë jo vetëm të padobishme, por dhe të dëmshme sepse ulin vigjilencën tonë në zbatimin e rregullave bazë”. "

Vasili ka ngritur një sërë pyetjesh që lidhen me menaxhimin që qeveria Rama i bëri situatës së pandemisë.

"Cilit Edi Rama t’i besojnë shqiptarët? Këtij që çirret dhe flet sot për maskat që të mbulojë 100 halle të tjera që ka? Që të mbulojë dështimin e jashtëzakonshëm me pandeminë e rikthehet tek maskat e gjobat? Çdo të kthejë, autoblindat? Policinë rrugëve që gjobit të madh e të vogël, të moshuar e të çdo moshe?

Folën sot për vaksinimin për gripin dhe thanë kemi siguruar kaq e aq numër vaksinash. Epidemiologjia nuk pranon të tilla gjëra. Ky është një maskarallëk publik. Epidemiologjia është shumë e qartë në përgjigjet e veta.

A u vaksinua i gjithë personeli mjekësor në Republikën e Shqipërisë që shërben ne spitalet publike dhe private? Pyetja e parë.

Pyetja e dytë. A u vaksinuan të gjithë mësuesit dhe personeli ndihmës në arsimin shqiptar publik dhe privat? A u vaksinuan të gjithë pjesëtarët e forcave të rendit, të ushtrisë e tjerë, të cilët janë në Republikën e Shqipërisë? Cili është sistemi dhe mënyra e vaksinimit të fëmijëve në shkolla, pra e një kontingjenti të tillë. Po meqë morën përsipër këtë gjë, një shtresë shumë e rrezikuar, siç thotë epidemiologjia janë të moshuarit, a janë vaksinuar të moshuarit? A mund të vaksinohen ata? Po sa shkon shifra e gjithë këtyre vaksinave që duhen? Shkon minimumi 1 milion e gjysmë. Po sa kanë këta? Kemi mbi 200 mijë vaksina. Deri kur do të shkohet me këtë lloj mashtrimi publik? Deri kur do të vazhdojë të kërcënojë shqiptarët me izolime, me maska? Për çfarë? Ky që flet pa maskë në krah të një ministreje që bën sikur mban maskë. "

Numri dy i LSI-së i kërkoi kryeministrit Rama ti lërë mashtrimet, siç i quan ai dhe të vërë në punë profesionalizmin. Gjithashtu theksoi se duhet të merren masa urgjente dhe te lihet mënjanë propaganda.

Të fundit