Flash News

Ditari i Opozitës

Mblidhet grupi i PD, Berisha: Opozita në parlament po privohet nga e drejta kushtetuese për të kontrolluar ekzekutivin

Mblidhet grupi i PD, Berisha: Opozita në parlament po privohet nga e drejta

Është mbledhur sot në selinë blu grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Berisha deklaroi se opozita po privohet në Parlament nga e drejta e saj kushtetuese dhe themelore për të kontrolluar ekzekutivin dhe zbatimin e ligjit.

Kreu i demokratëve vuri në dukje shkeljet e mazhorancës në Parlament, ku aktet normative dhe projektligjet janë kaluar pa debat.

“Ne jemi dëshmitarë që me seancën e fundit u bënë 10 seanca parlamentare në të cilat qeveria në 9 prej tyre i mohoi opozitës çdo debat për çdo çështje që erdhi në parlament, duke filluar nga programi i qeverisë, miratimi i Këshillit të Ministrave, duke përfunduar tek miratimi i buxhetit dhe çdo gjë tjetër.

Ju jeni dëshmitarë sepse në 10 seanca ka pasur vetëm një seancë me debat dhe kjo ka qenë seanca ku është diskutuar për institucionet e drejtësisë.

Janë kaluar ligje, projektvendime, akte normative dhe në asnjërën prej tyre në mënyrë absolute nuk është lejuar opozita të debatojë, të marrë fjalën, të paraqesë mendimet, të mbrojë interesat e zgjedhësve të saj që kanë votuar kundër një qeverie si kurrë ndonjëherë në historinë 33-vjeçare të parlamentit pluralist. Nuk ka ndodhur kurrë sepse nuk mund të ndodhë si rregull.

Dhe, të mos harrojmë, 10 seanca parlamentare të paraprira nga qindra mbledhje komisionesh, në të cilat opozita ka marrë pjesë në mënyrën më serioze. Në të cilat opozita është përkushtuar me seriozitetin më të madhe për të paraqitur objeksionet, sugjerimet, propozimet për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Pra, me gjithë këtë punë shumë serioze që ju keni bërë në komisionet parlamentare- dhe më serioze shumë se puna e të tjerëve- por kur vjen puna pas komisioneve në aulën e parlamentit, Edi Rama urdhëron të mbyllë mikrofonat për opozitën.

Janë bërë 10 seanca në të cilat si kurrë ndonjëherë në histori, ministrat nuk lejohet të vijnë në interpelanca. Janë bërë 10 seanca që refuzohet çdo mocion me debat. Të drejta të sanksionuara në Kushtetutë këto për opozitën. Janë bërë 10 seanca, refuzohen në mënyrë antikushtetuese të gjitha kërkesat e opozitës për komisione hetimore parlamentare.

Pra, opozita privohet jo vetëm nga e drejta, por nga detyra e saj themelore për të kontrolluar ekzekutivin, për të kontrolluar zbatimin e ligjit”, deklaroi Berisha.

Të fundit