Flash News

Ditari i Opozitës

Mediat Greke: Chris LaCivita do të ndihmojë Berishën në fushatën zgjedhore të 11 majit

Mediat Greke: Chris LaCivita do të ndihmojë Berishën në

Mediat greke i kanë kthyer sytë nga zgjedhjet në Shqipëri, që pritet të mbahen më 11 maj. Sipas Iefimerida, ish-bashkëmenaxheri i fushatës së Donald Trump, Chris LaCivita, është angazhuar për të ndihmuar ish-kryeministrin Sali Berisha në rikthimin e tij në pushtet.

Në artikull theksohet gjithashtu rëndësia e takimit që Berisha do të mbajë të dielën në Greqi me emigrantët shqiptarë, ku synon të inkurajojë votimin me postë për zgjedhjet e majit. Afati për regjistrim në këtë proces skadon më 4 mars.

Strategu amerikan përkrah Berishës
Në një intervistë të fundit për New York Times, LaCivita deklaroi se ai po “eksporton MAGA” dhe bëri një paralelizëm me Shqipërinë, duke parafrazuar sloganin e njohur të Trump: “Make Albania Great Again”.

Gjatë prezantimit të tij në konferencën për shtyp, ai theksoi se qëllimi është të ndihmojë në zgjedhjen e një kryeministri që është mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara.

Nga ana tjetër, ai kritikoi kryeministrin aktual Edi Rama, duke e cilësuar atë si një “kukull të George Soros”.

Kush është Chris LaCivita?
Chris LaCivita është një strateg politik amerikan, i cili së fundmi iu bashkua firmës lobuese greko-amerikane Michael Best Strategies, drejtuar nga Reince Priebus. Ai ka një përvojë të gjatë në menaxhimin e fushatave politike dhe konsiderohet një nga arkitektët e strategjive elektorale të Partisë Republikane në SHBA.

Sipas mediave të huaja, LaCivita u bë 22 milionë dollarë më i pasur për rolin e tij në fushatën e Trump. Në Shqipëri, angazhimi i tij për Partinë Demokratike ka ngritur pyetje mbi mënyrën e financimit të kësaj fushate, por Berisha ka deklaruar se do të japë informacione më vonë për këtë çështje.

Berisha kërkon mbështetje në diasporë
Më 23 shkurt, Berisha do të mbajë një fjalim në stadiumin e Paqes dhe Miqësisë në Athinë, ku do të kërkojë mbështetjen e shqiptarëve në Greqi për zgjedhjet e ardhshme.

Në të njëjtën kohë, edhe kryetari i Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, po bën thirrje për regjistrim masiv të votuesve të diasporës, për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.

Zgjedhjet e ardhshme pritet të jenë një test i rëndësishëm për opozitën shqiptare, ndërsa ndikimi i strategëve të huaj në këtë garë mbetet një faktor që do të ndiqet me vëmendje.

Të fundit